27 Nëntor 2022

IPKO të hyrat nga sms-të e pavarësisë, për repartin e foshnjave

Prishtinë, 15 shkurt - Të gjitha të hyrat e telefonisë mobile IPKO të cilat do të grumbullohen në Ditën e Pavarësisë nga konsumatorët të cilët komunikojnë me SMS, do të jepen për Fondacionin për Nëna dhe Foshnja të Shëndetshme. 

Prishtinë,  15 shkurt 2010 – Në ditën më të rëndësishme për të gjithë qytetarët tanë -  përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kompania IPKO ka vendosur të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për popullin e Kosovës, dhe të mbrojë të ardhmen e tij – përkatësisht fëmijët e këtij vendi. 

Duke përkrahur Fondacionin për Nëna dhe Foshnja të Shëndetshme, IPKO do ta bëjë këtë duke dhuruar të gjitha të hyrat e saj të cilat do të grumbullohen nga dërgimi i SMS-ve më 17 shkurt, për blerjen e sistemit të ri të oksigjenit në Njësinë Intensive të Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 

Në Njësinë Intensive të Neonatologjisë në QKUK, lindin mesatarisht 10.500 foshnje, ose përafërsisht një e treta e totalit kombëtar gjatë vitit, dhe 1.800 nga këto foshnje lindin para kohe. Shumë nga foshnjat e lindura para kohe kanë probleme serioze shëndetësore dhe nuk mbijetojnë. 

Për shkak se foshnjat e lindura para kohe kanë mushkëri të pazhvilluara që janë  të ndjeshme ndaj infeksionit (pneumonisë), shumë prej tyre nuk mund të marrin frymë mirë dhe një numër i madh i tyre vdesin nga mungesa e oksigjenit. 

Mirëpo, konsumatorët e telefonisë mobile IPKO të cilët dërgojnë SMS tek të afërmit dhe miqtë e tyre më 17 shkurt, me mesazhet e tyre do të kontribuojnë në zvogëlimin e shkallës së vdekshmërisë tek foshnjat e porsalindura kosovare. 

Kompania IPKO do t’i jap të gjitha të hyrat nga komunikimi me SMS për të ndërtuar sistemin e ri të oksigjenit, i cili i do të instalohet nga lideri botëror i teknologjisë mjekësore, kompania Dräger Medical nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Tarifat për dërgimin e SMS’ve gjatë Ditës së Pavarësisë janë me çmim standard, sikur edhe ditëve të tjera të vitit. 

Edhe për vitet e ardhshme, IPKO ka ndarë fonde për t’i dal në ndihmë Fondacionit për Nëna dhe Foshnja të Shëndetshme. Ndërsa, IPKO premton që edhe në të ardhmen do t’i përkrah iniciativat që sigurojnë të ardhme të shëndetshme dhe mirëqenie për të gjithë fëmijët në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)