20 Gusht 2019

Fluturimet në Aeroportin e Prishtinës serish me probleme dhe vonesa

Prishtinë, 31 korrik - Udhetimet me aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës 'Adem Jashari' gjatë këtij muaji kanë filluar me probleme dhe vonesa.

Autoriteti i Aviacionit Civili  (AAC) ka njoftuar se sot në mëngjes, fluturimi X38960 i kompanisë ajrore TUI Fly në arritje nga Aeroporti Basel - Mulhouse, pas aterrimit ka vërejtur që ka probleme teknike si pasojë e  goditjes me shpezë, e cila ka ndodhur gjatë fluturimit. 

Problemet teknike sipas AAC-së janë sanuar në ndërkohë, dhe aeroplani është nisur për Basel në ora 6:27 (kohë lokale), në vend të kohës së paraparë në 2:45.

Gjithashtu sipas AAC-së aeroplani i fluturimit 8Q 710 i kompanisë Onur Air me destinacion Antalia, për shkak të një problemi teknik  nuk ka mundur të niset në kohën e paraparë, në ora 3:30 (kohë lokale). 

Ekipi i mirëmbajtjes së kompanisë është duke e trajtuar problemin. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)