28 Mars 2024

Fillojnë punimet për rehabilitimin hekurudhes Fushë Kosovë - Hani i Elezit

Prishtinë, 6 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës komerciale ndërmjet INFRAKOS dhe Generale Construzioni Ferrovarie (GCF), për Rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë - Hani i Elezit, nënshkrim ky që u bë nga Agron Thaçi, Kryeshef Ekzekutiv në Hekurudhat e Kosovës dhe Edoardo Rossi, Drejtor Gjeneral i GCF-së. 

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se sot është një ditë feste në Kosovë, për faktin se fillojnë punimet për renovimin, rehabilitimin, aftësimin e njërit prej sektorëve të rëndësishëm, atë të hekurudhave të Kosovës, sektorit 10-të, që është Fushë Kosovë-Hani i Elezit.

Kryeministri Haradinaj sqaroi se këto punime do të zgjasin 24 muaj, që i bie se në fillim të vitit 2021, Kosova do të ketë hekurudha të kualitetit të pranueshëm, kompatibile dhe në funksion të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, por edhe të lidhjeve ekonomike, jo vetëm me Maqedoninë Veriore në këtë rast, por edhe të ekonomive të rajonit.

"Ky është një investim i përbashkët, investon populli i Kosovës nga buxheti i vet, por po ashtu investon edhe BE-ja, përmes fondeve të IPA-s për aftësimin e hekurudhave tona", tha kryeministri Haradinaj, duke uruar për këtë të arritur të sotme.

Kryeministri Haradinaj tha se hekurudhat kanë edhe dy seksione të tjera të nevojshme dhe se edhe për ato së shpejti do të ketë nënshkrime të kontratave dhe se për këto seksione puna do të ndodhë më shpejtë dhe se në pranverë të vitit 2021 jo vetëm që do të jetë i përmbyllur seksioni nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, por do të jenë të përfunduara edhe deri në Merdare.

"Kosova, më në fund, do ta ketë rrjetin hekurudhor funksional kualitativ", tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se do të ishte një lajm i gëzueshëm nëse do të kishte një hekurudhë që do të lidhte Kosovën me Portin e Durrësit, duke shpresuar se në një të ardhme kjo edhe do të arrihet.

Kryeministri Haradinaj tha se e mira e kësaj pune është se do të ketë vende të punës dhe gjenerim ekonomik.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se sot po fillon diçka e re për sistemin hekurudhor për vendin dhe se pas gjysmë shekulli do të ndodhin investime në modernizimin e trasesë, nga ku do të kalojnë më shpejtë dhe në kosto më të ulët trenat me shpejtësi gati 150 kilometra në orë.

"Sot do të fillohet me implementimin e projektit prej 210 milionë euro, para të siguruara nga Qeveria e Kosovës përmes Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim", tha ministri Lekaj.

Agron Thaçi, Kryeshef Ekzekutiv në Hekurudhat e Kosovës, tha se kjo është një ditë e veçantë që po kurorëzohet me një lidhje të kontratës për Rehabilitimin e linjës hekurudhore, projekt ky i cili do të ketë efekt jo vetëm në ekonominë dhe mirëqenien tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë.

“Ky projekt do të na mundësojë të krijojmë lëvizje më të lehta dhe më të lira të qytetarëve dhe të mallrave. Javën e ardhshme do të lansohet edhe projekti tjetër prej 40 kilometrave dhe deri në pjesën e parë të vitit 2021 do t’i kemi të përfunduara afër 100 kilometra”, tha Thaçi, duke theksuar se nga ky projekt Kosova do të përfitojë në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia, aspekti social dhe ai mjedisor.

Luigi Brusa, shef i Sektorit nga Seksioni i Bashkëpunimit i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, tha se janë duke nisur një udhëtim së bashku i cili do të zhvillohet në tri faza dhe se me këtë ata janë duke bashkuar njerëz.

“Jemi duke nisur një udhëtim, por ky është një udhëtim i vërtetë, sepse do të ketë një ndikim shumë pozitiv nga ky investim në ekonominë e Kosovës. Është një investim i vërtetë sepse do të krijohen rreth 160 vende pune”, vlerësoi ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)