20 Prill 2024

Deputetët njëzëri kundër monopolit në homologim

Prishtinë, 28 qershor - Në seancën e sotme te jashtëzakonshme të Kuvendit për heqjen e monopolit të homologimit të gjithë deputetët janë deklaruar kundër këtij monopoli.

Meqenëse në  seancë s’po merr pjesë vetë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deputetët kanë kërkuar që të mundësohet tregtia e lirë dhe të hiqet monopoli.

Pas tri kërkesave të opozitës, të paraqitura nga deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, i pari që foli ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi. Ai tha se PDK-ja kërkon konkurrencë të lirë, fer e lokale.

“Sikur të kishim vullnetin që këtë seancë ta bënim bashkë nuk do të rrezikonim atë që me dyshim e kam thënë edhe në mbledhje të Komisionit, që kjo temë të rrëshqasë edhe një herë si një temë politike dhe jo një temë e karakterit kryesisht ekonomike që ndërlidhet me konkurrencën."

"Po shpresoj që nuk ka qenë ky qëllimi, por ashtu edhe po duket. E dyta më vjen keq, që duhet ta them, që nuk kemi përfaqësues të qeverisë sot këtu, sepse ne po diskutojmë për një çështje që legjislacioni i ka bërë kompetencë qeverisë dhe së paku në këto raste, ne do të duhet të kishim personat përgjegjës për të pasur edhe imputet nga ana e tyre ose perspektivën nga an a tyre. PDK, është fuqishëm pro ekonomisë së tregut të lirë, kjo buron prej konceptit tonë ideologjik si parti e qendrës së djathtë”, theksoi Krasniqi.

Shefi i GP të PDK-së, tha se çështja e homologimit është e vjetër dhe është diskutuar herë pas herë ndër vite dhe ndër legjislatura.

Krasniqi tha se na takimin e fundit në komision parlamentar, ka kërkuar nga ministri I MI-së Pal Lekaj që të bëhen ndryshimet e Udhëzimit në mënyrë që të krijohet hapësira për treg të hapur, sepse nuk është normale për një veturë të re që importohet në Kosovë prej BE-së me iu nënshtruar një procesi të verifikimit në Kosovë.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka akuzuar Lekajn për vazhdim të homologimit për “EuroLabin”.

Sipas tij, me homologimin janë bërë dy krime të mëdha, krimin e parë e lidhi me vitin 2008 kur ish-ministri Fatmir Limaj kishte nxjerrë udhëzimin administrativ që mundësoi monopolin dhe kur Pal Lekaj ia siguroi vazhdimësinë.

“Ministri Lekaj nuk mund të fshihet duke thënë që e kanë konsultuar çdo autoritet profesional dhe askush nuk ka dërguar vërejtje apo sugjerime. Unë me qëllim i mora këtë dokumentin 22 faqe nga fakulteti i inxhinierisë mekanike të Universitetit të Prishtinës. Ata kanë bërë vërejtje shumë profesionale ndaj Udhëzimit Administrativ të Pal Lekajt dhe prej të gjitha vërejtjeve që unë i lexova me vëmendje, konstatojnë një letër ankesë që asnjëra prej vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre nuk është marrë në konsideratë nga ministri Lekaj, sidomos për nenin(7.4) më problematik i cili është ajo esenca e garantimit të monopolit... aty ku formulohet e zeza mbi të bardhë, formulimi i monopolit lidhur me shfrytëzimin mesatar të kapaciteteve prej 85 për qind”, thekson Konjufca.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, deklaroi se ky ligj ishte bërë nga legjislaturat e shkuara dhe shtoi se janë kundër monopolit e që homologimit t’i nënshtrohen edhe veturat e reja.

Ai tha se ministri aktual Pal Lekaj s’është përgjegjës për gjendjen në këtë shërbim.

“U përmend këtu disa herë Pal Lekaj. Pal Lekaj nuk është krijues i kësaj situate, krijues të kësaj situate që nga viti 2008 janë partitë që kanë qenë në pushtet. Më së paku kanë të drejtë të flasin ata të cilët kanë ushtruar autoritetin ku kanë pasur përgjegjësi institucionale sikur ministri I Infrastrukturës dhe nuk I kanë bërë ndryshimet… Po ashtu në vitin 2017 ne patëm ligjin për automjete që në fakt i lejon ose i mundëson fushë veprimtarinë kësaj kompanie e cila ende më tutje është në angazhim”, deklaroi Isufi.

Deputeti Isufi vlerësoi se çmimet për shërbimet e homologimit janë më të larta se në disa vende të BE-së, për të cilat tha se duhet veprohet që të ndryshohet kjo gjendje.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, në hapjen e seancës së jashtëzakonshme për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave, ka treguar tri kërkesat e opozitës për të demonopolizuar këtë treg.

Ai ka thënë se si pikë e parë duhet votuar shfuqizimi i menjëhershëm i udhëzimit që i pati dhënë monopolin në homologia EuroLabit.

Për pikë të dytë ai ka propozuar që për dy muaj duhet të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ.

Ndërsa deri në fund të vitit ka thënë se duhet të liberalizohet plotësisht tregu i homologimit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)