28 Mars 2024

Çmontohen aparaturat ilegale te telefonisë mobile serbe

Prishtinë, 23 prill - Policia e Kosovës ka çmontuar sot herët në mëngjes transmetuesit dhe pajisjet e telefonisë mobile të kompanive të Serbisë në disa lokalitete të Kosovës.

Sipas mediave të Beogradit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës gjatë një aksioni të zhvilluar në orën 5.00 të mëngjesit të sotëm kanë çmontuar pajisjet e telefonisë mobile të Telekomit, Telenorit dhe VIP-i, të gjithë provajderë nga Serbia, në Badovc afër Graqanicës, Gushtericë, afër Lipjanit dhe Babinmoc afër Obliqiti, si dhe është çmontuar shtylla e antenës së telefonisë mobile në fshatin Vërbovc afër Vitisë.

Udhëheqësi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit në Kosovë, Ekrem Hoxha, ka konfirmuar se kanë mënjanuar disa transmetues të telefonisë mobile të Serbisë në disa pjesë të Kosovës.

Zoti Hoxha ka thënë se janë mënjanuar 14 stacione bazë të këtyre transmetuesve, jo vetëm në Prishtinë, por në nivel të Kosovës.

Sipas tij, aksioni për mënjanimin e këtyre transmetuesve do të vazhdojë.

Në rast të përpjekjeve për rivendosjen e tyre, zoti Hoxha tha se “nuk ka resurse për të qëndruar në vend të ngjarjes”.

“Në qoftë se rivendosen, prapë janë ilegale dhe është vetëm çështje kohe për mënjanim”, ka thënë Hoxha.

Në një komunikatë për shtyp, ART sqaron se "në bashkëpunim me agjensionet e zbatimit të ligjit, me qëllim të jetësimit të ligjeve në fuqi dhe krijimit të kushteve normale të operimit për operatorët e licensuar të telefonisë mobile, duke u bazuar në Ligjin e Telekomunikacionit, ka ndërmarr aksionin e ndalimit të veprimtarisë ilegale të operatorëve të pa-licensuar/pa-autorizuar, të cilët kanë të shtrirë rrjetin e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës".

Me këtë rast, ART rikujton "ndërmarrjet, grupet ose individët të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në ushtrimin dhe ofrimin e shërbimeve telekomunikuese të pa-licencuara dhe të pa-autorizuara se nuk do tolerohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe do përballen me fuqinë e ligjit dhe rendit juridik të shtetit të Republikës së Kosovës".

Sipas njoftimeve nga mediat serbe, deri më tash janë mënjanuar transmetuesit “Telekom”, “Telenor” dhe “Vip”.

Përfaqësuesit e "Telenor"-it kanë thënë se këtij transmetuesi i janë shkyçur dy stacione bazë, në rajonin e Graçanicës dhe në Uglarë.


Reagimi i Beogradit

Këtë vendim të autoriteteve të Prishtinës, Ministria për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar si incident të paramenduar.

"Mendojmë se ky është një incident i paramenduar, i cili nuk është vetëm sulm kundër pronave të kompanive serbe, por përpjekje për të ndërprerë çdo komunikim midis serbëve të Kosovës dhe lidhjet e tyre me pjesën tjetër të Serbisë dhe botës”.

“Me ndërprerjen e çdo forme të komunikimit midis hapësirave serbe, institucionet e përkohshme të Kosovës po krijojnë një atmosferë pasigurie dhe frike, shkurajojnë të kthyerit dhe nxisin një valë të re zhvendosjesh”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri serbe.

Ndryshe që në fillim të punës së Bordit të ART-së, ka shqyrtuar veprimin ilegal te operatorëve 064 dhe 063 si dhe mundesia e largimit te tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë. 


Sipas ekspertëve të Postë Telekomunikacionit, por edhe të dhënave mbi të hyrat nga territori i Kosovës në telekomin e Serbisë, evazioni mujor sillet rreth 20 milion euro në vit.

Kosova tani ka dy operator të licencuar sipas legjislacionit në fuqi, të cilët mbulojnë mjaft mirë tërë territorin e Kosovës. Hapësira e frekuencave është pasuri kombëtare dhe institucionet e vendit kanë obligim kushtetues ta mbrojnë atë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)