08 Shkurt 2023

Bordi shkarkon Mentor Shalen nga pozita e zëvendësdrejtorit të RTK-së

Prishtinë, 29 janar - Bordi i Radio Televizonit të Kosovës (RTK) në mbledhjen sotme aprovoi raportin tre mujor financiar për periudhën raportuese Tetor – Dhjetor 2021.

Bordi i RTK-së aprovoi propozimin e Shkumbin Ahmetxhekaj, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK, për shkarkimin e Mentor Shala nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së.  

“Shala gjatë kohës së kryerjes së detyrave në RTK, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur ka shkelur Ligjin për RTK-në dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së, qoftë duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme apo duke mos ruajtur paanshmërinë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e U.D Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkim që e ka aprovuar Bordi i RTK-së

Propozim vendimi për shkarkimin e z. Shala nga pozita e zëvendësdrejtorit të RTK-së bazohet në nenin 33 paragrafi 1.2, nenin 31 paragrafi 2 nënparagrafi 2.2 dhe nënparagrafi 2.3, të Ligjit 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës (G.Z. nr. 7, 27 prill 2012), nenin 8 paragrafi 2, nenin 19 paragrafi 9, nenin 20 paragrafi 12 dhe 14, nenin 22 paragrafi 1 dhe 2 të Statutit të Radiotelevizionit të Kosovës (nr. 0001/22 të datës 16.01.2022), nenin 7 paragrafi 2 të Rregullores për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Radiotelevizionit të Kosovës (nr. 1355/17 të datës 29.11.2017), nenin 7 paragrafi 1.1, 1.7 dhe 1.21 të Rregullores për Përgjegjësitë Materiale dhe Disiplinore të RTK-së (nr.0736/18 të datës 05.06.2018) si dhe Vendimit të Bordit të RTK-së me Nr. protokolli 0005/22, të datës 19.01.2022 për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Bordi i RTK-së ka aprovuar propozimin e z. Shkumbin Ahmetxhekaj, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së për emërimin e z. Arsim Halili në pozitën e U.D. Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, deri në përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.   

Bordi i RTK-së në mbledhjen e sotme ka pritur në takime të ndara përfaqësuesit e dy sindikatave të punëtorëve në televizion dhe në radio, të cilët i paraqitën pikëpamjet e tyre për sa i përket transmetuesit publik, përderisa sindikata SPRTK nuk iu është përgjigjur pozitivisht ftesës nga Bordi për të marrë pjesë në takim.

Bordi i RTK-së siguroi sindikatat e RTK-së se do t’i adresojë shqetësimet e tyre në përputhje me rregullativën e RTK-së sa i përket të drejtave të punëtorëve, transmetimit të sinjalit në gjithë territorin e Kosovës dhe çështje të tjera me rëndësi.  

Gjithashtu, Bordi i RTK-së gjatë ditës së sotme, vizitoi ambientet e punës së RTK-së, konkretisht hapësirat e punës në kanalin e parë televiziv, të dytë dhe kanalin e tretë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)