06 Tetor 2022

Bordi aprovon rekomandimet për skemën programore të RTK-së

Prishtinë, 12 mars - Bordi i RTK-së në mbledhjen e datës 12 Mars 2022 ka aprovuar rekomandimet e Komisionit të Skemës Programore për skemën programore të RTK-së për vitin 2022.

Bordi i RTK-së ka kërkuar nga menaxhmenti që t’i inkorporojë rekomandimet në skemën programore që pritet të vijë për aprovim në bord në mbledhjen e radhës.

Bordi ka diskutuar propozimet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm për ndryshimet e mundshme në statut dhe në rregullore.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm Shkumbin Ahmetxhekaj, U.D Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së dhe në pjesën e dedikuar për marketingun i pranishëm ishte edhe Arian Sahiti, drejtori i departamentit të Marketingut.

Bordi ka diskutuar për gjendjen e departamentit të marketingut në RTK dhe ka shqyrtuar mundësitë për ta fuqizuar këtë departament, të cilin e konsideron shumë të rëndësishëm për gjenerimin e të hyrave financiare.

Në këtë mbledhje Ahmetxhekaj raportoi për risistemimin e punonjësve brenda mediumit publik. Risistemimi në këtë fazë është bërë duke pasur për bazë faktin se me datën 31 mars të këtij viti përfundojnë të gjitha kontratat për shërbime dhe vendet që do të mbesin vakante, do të plotësohen nga stafi i brendshëm që kanë kontrata të rregullta.

Ahmetxhekaj ka raportuar se gjatë procesit të risistemimit, komisioni për risistemim ka ardhur në përfundim se është i domosdoshëm rekrutimi i disa punëtorëve, pozita të cilat nuk ka qenë e mundur të mbulohen me stafin aktual të brendshëm, pas mbarimit të kontratave me shërbime.

U.d drejtori ka propozuar hapjen e  konkursit për 12 pozita të punës në disa njësi ndryshme të RTK-së. Bordi i RTK-së ka aprovuar tetë prej tyre. Rrjedhimisht do të ketë konkurs publik për punësimin e punëtorëve të rregullt në pozitat si vijon, një (1) videoreporter/korrespodent në Tiranë, një (1) gazetar/korrespodent në Mal të Zi, një (1) gazetar/korrespodent në Serbi/Preshevë, një korrespondent/gazetar për rajonin e Prizrenit, një gazetar për redaksinë boshnjake në Radio Kosova dhe dy shoferë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)