28 Mars 2024

Autostrada Prishtinë - Shkup se shpejti bëhet publik projekti

Prishtinë, 21 nëntor - Prezantimi i projektit të autostradës, e cila do ta lidhë Shkupin dhe Prishtinën, pritet të bëhet publik këtë javë.

Lajmin e ka bërë me dije për gazetën "Epoka e Re" zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Xhevdet Pozhari.

Ai ka deklaruar se procedurat kanë përfunduar dhe se gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet publik projekti, i cili do të tregojë qartë se si do të duket dhe nga do të bjerë autostrada e dytë, e cila do të ndërtohet në drejtim të Maqedonisë.

Sipas tij, ndërtimi i autostradës Prishtinë - Shkup do të hapë korridore të reja nga Kosova për në rajon dhe vende të tjera.

“Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar të punojë dhe të investojë në ndërtimin e rrugëve. Prezantimi i këtij projekti madhor për Kosovën tregon qartë vendosmërinë e institucioneve të vendit për të punuar në këtë drejtim”, ka theksuar Pozhari.

Sipas tij, me planin për ndërtimin e autostradës për në drejtim të Shkupit, do të konkretizohen të gjitha specifikat e projektit, duke nënkuptuar vlerën e projektit, kohën dhe të gjitha gjërat e tjera që janë të parapara. “Më parë ministri Limaj e ka bërë publik edhe njërin nga projektet e tjera kapitale, ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup.

Ky projekt pritet të konkretizohet në këtë javë apo brenda disa ditëve. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë pasi do ta lidhë Prishtinën me qendrën e Maqedonisë dhe do ta lidhë me autostradën në drejtim të Shqipërisë”, ka bërë me dije Pozhari, duke shtuar se kjo autostradë do të ndërtohet me koncesion.

“Koncesionuesi, i cili do ta ndërtojë këtë autostradë, do ta mbajë një kohë në shfrytëzim. Ndërkaq nëpërmjet këtij varianti do ta mbrojmë paranë publike dhe do ta fitojmë një korridor të ri, i cili do të sjellë zhvillim të ardhshëm ekonomik për vendin”, ka theksuar ai. Pozhari ka deklaruar se ka mjaft investitorë të cilët janë interesuar për këtë projekt kapital.

Ndërkaq sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ndërtimin e rrugëve dhe të autostradave e ka vlerësuar si një nga parakushtet për zhvillim ekonomik të Kosovës. “Ky është një projekt me fizibilitet të lartë dhe me impakt pozitiv për zhvillim ekonomik, i cili duhet të përfundojë sa më shpejt”, ka deklaruar ai.

Rukiqi është shprehur se projekti duhet të koordinohet me Maqedoninë, që edhe ajo ta kryejë pjesën e vet deri në kufi me Kosovën.

Edhe eksperti i çështjeve të zhvillimit të ekonomisë, Ibrahim Hoxha, këtë projekt e sheh si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Prishtinën dhe Shkupin, por për të gjithë rajonin, sepse, sipas tij, do të bëhet një lidhje shumë e rëndësishme me Maqedoninë, por edhe me Greqinë.

“Ndërtimin e kësaj autostrade, e cila do ta lidhë Prishtinën me Shkupin, e konsideroj hap të qëlluar dhe të arsyeshëm. Mënyra se si është parashikuar të ndërtohet nuk do të jetë barrë për Qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Autostrada nga Prishtina deri në Shkup do të jetë e gjatë rreth 86 km. Ajo do të kalojë në drejtim të Ferizajt e Kaçanikut dhe do të lidhet me pjesën tjetër të Maqedonisë. Qeveria e Maqedonisë ka paraparë ta ndërtojë autostradën nga Shkupi deri në kufi me Kosovën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)