14 Dhjetor 2018

Asfaltimi i rrugëve në Grykën e Karadakut ka kthyer shpresat për banorët

Gjilan, 10 gusht - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, ka vizituar punët që janë bërë në asfaltimin e rrugëve në fshatrat e ndryshme në pjesën e Karadakut, duke përfshirë fshatrat, Zhegër, Pidiç, Stançiq, Dunav, Selishtë, Haxhaj, Shurdhan dhe Lladovë, që njëkohësisht i ka garantuar banorët e atjeshëm për vazhdim të investimeve deri në kompletimin e plotë të infrastrukturës në këtë regjion të rëndësishëm dhe potencial për zhvillimin e turizmit.

“Sot kemi vizituar Lladovën e cila është organizuar për mirëmbajtjen dhe organizimin për një ambient më të mirë, pastaj Zhegrën ku janë investuar projekte të ndryshme në infrastrukturë publike, pastaj palestrën dhe trajtimin e shtratit të lumit që do të bëhet së shpejti. Për këtë vit ne po punojmë në infrastrukturën rrugore. Në fshatin Selishtë, është duke u përgatitur rruga për asfaltim deri te shkolla e fshatit dhe gjithashtu  rruga për në lagjen “Hasanaj” për të inkuadruar tri lagjet e fshatit Selishtë”, ka thënë Haziri.

 “Në fshatin Çelik projekti i asfaltimit të rrugës është kryer dhe po punojmë në përfshirjen e të gjitha lagjeve në këtë pjesë me rrugë të asfaltuar. Gjithashtu, fshati Shurdhan dhe Pidiq është duke u punuar që të integrohen në infrastrukturë rrugore. Ndërkaq, fshati i fundit në këtë pjesë është Stançiqi, ku është trekëndëshi kufitar që Karadaku e quan “këmba e pulës”, aty ku ndahet Kosova, Maqedonia dhe Serbia si territor”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se këto investime të Komunës së Gjilanit në këtë territor, janë bërë me qëllimin kryesor të hapjes së perspektivës në këtë pjesë të rëndësishme.

“Të gjitha fushat e bujqësisë kanë potencialin të zhvillohen më lehtë tani e tutje. Po ashtu, kjo zonë ka potencialin e fuqishëm të zhvillimit edhe të sektorit të turizmit që si potencial ekziston, por nevojiten investime edhe nga bashkëatdhetarët tanë që kjo zonë të kthehet në rekreacion”, theksoi ai.

Kryetari Haziri ka pohuar se investime të njejta do të ndodhin edhe në pjesën lindore të Karadakut, që përfshinë fshatrat Burincë, Lipovicë, Sllubicë, Bukovik dhe Kokaj që do ta përmbyllin fazën e investimeve në infrastrukturë rrugore në këtë zonë.

Kurse, kryetari i Këshillit të Fshatit Çelik, Shefket Bajrami, ka thënë se investimet e Komunës së Gjilanit kanë bërë që kjo pjesë tani të ketë vlerë të lartë, sepse janë interesime të jashtëzakonshme që të bëhen shtëpi të reja, villa, e restorante, por edhe kthim i të shpërngulurve drejt qytetit.

“Ka ndodhur një lehtësim i madh i jetës së banorëve. Është ngjallur kjo pjesë. Ka fluks të fuqishëm për kthim dhe investim në këtë anë në të gjitha fshatrat. E falënderojmë kryetarin Haziri për investimet,sepse është kthyer shpresa për të jetuar këtu”, ka thënë Bajrami.

Investimet në fshatrat e Grykës së Karadakut kapin shumën e mbi 513 mijë euro.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 dhjetor 2018 - Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet turneu kundër Korrupsion “Kosova Open 2018”. (Kino “Armata”,  ora 10:00)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës organizojnë tryezën "Roli i medias dhe shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit". (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Instituti D4D organizon hapjen zyrtare të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”. (Restorant Tartine Deli, Prishtinë, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet tryeza me temë "Lufta Kundër Korrupsionit në Ballkan. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e përurimit të shtëpisë për familjen skamnore në fshatin Livoç. (Fshati Livoç, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Let's Do It organizon aksion pastrimi në Plemetin të Obiliqt në kuadër të Fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën". (Plemetin, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës bën homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe vazhdon më pas për homazhe te varri i Ahmet Krasniqit. (Velani, ora 11:30)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qendra Tregtare "Plus Center “ organizon hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?. (Objekti i Qendrës Tregtare "Plus Center“ ne Ferizaj, ora 12:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë ngjarjen përmbyllëse të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, ku do të jenë prezent Ambasadorët e Shteteve Anëtare të QUINT, BE dhe Koalicioni i OJQ-ve. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Heroit Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij. (Salla e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ora 16:00)

- Fondi për të Drejten Humanitare organizon ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti Panda”. (Qendra e Dokumentimit në bibliotekën Hivzi Sulejmani, rruga “Sadik Bekteshi” nr 16, ora 16:30)

- Federata Kosovare e Atletikës organizon manifestimin sportiv të atletikës "Laureatët e vitit – Gala Athletics2018”. (Miracle Beni Dona, Zona Industriale, ora 18:30)

- Shfaqet drama jokonvencionale e Mark Ravenhill lidhur me dy vëllezër identikë të cilët ritakohen pasi që janë rritur ndarazi më Gjermaninë lindore dhe perëndimore. (Ambienti i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, rruga e Muzeu Etnologjik, ora 20:00)