19 Mars 2019

AGK e shqetësuar me tendencën e Presidencës për ndikim në RTK

Prishtinë, 12 janar - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka pritur me shqetësim lajmin e publikuar në medie lidhur me tendencën e zyrës së Presidencës, për ndikim mbi Transmetuesin Publik të Kosovës.

Kjo përpjekje për të dirigjuar pyetje dhe agjenda mbi mediet është e papranueshme dhe skandaloze, aq sa lehtësia dhe gatishmëria e atyre që janë të thirrur për ta mbrojtur profesionin, për t`iu nënshtruar këtyre agjendave politike, qoftë vullnetshëm ose përmes ndikimit, duke shfrytëzuar hierarkinë editoriale.

AGK u bën thirrje të gjithë gazetarëve që t`i qëndrojnë besnik parimeve profesionale dhe i inkurojon ata që të mos bëjnë veprime që mund ta rrënojnë kredibilitetin e tyre profesional dhe të komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.  Asociacioni inkurajon gazetarët që të gjitha rastet e ndërhyrjeve joprofesionale, ndikimit, censurës dhe presionit, qoftë brenda redaksive apo edhe nga jashtë, t`i denoncojnë publikisht me kohë.

AGK kërkon nga organet drejtuese të RTK-së që të mos heshtin ndaj kësaj cështjeje dhe ta adresojnë konform rregullativës së brendshme dhe standardeve profesionale. Kjo pasi rastet e tilla dëmtojnë imazhin e transmetuesit publik dhe komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 mars 2019 - Ministria e Integrimit Evropian feston 10 vjetorin e bashkëpunimit Kosovë – JICA”. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë së cilës do të publikohen gjetjet e raportit nga monitorimi i Kontratave për furnizim me material shpenzues për Hemodializë për vitin 2018, në një diskutim me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. (Orion Conference Center, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës organizon mbledhjen e radhës së Koalicionit për Barazi “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë Veriore në koordinim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përkrahjen teknike të ofruar nga Sekretariati i Përbashkët Teknik organizojnë Forumin Konsultativ. (Hotel International Prishtina, ora 11:00)

- Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mban konferencë për media. (Ndërtesa e Kuvendit, kati III, para sallës C301, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban aktivitet. (Takimi me mediat bëhet pranë QKMF-së, te Qafa, ora 12:00)

- Promovohet romani “Rrota e Ujit” i autores Resmije Kryeziu. (Kolegji AAB, objekti V, te këndi i Librarisë, ora 12:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me Udhëzimet Administrative të cilat janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet që po pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori. (Zyret e OAK-së, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Ambasadori Kosnett do të vizitojë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës ku do të merr pjesë në nisjen zyrtare të Njësisë për Luftimin e Mashtrimeve, e cila do të veprojë në kuadër të ZKAK. (Lokalet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, rr. Ahmet Krasniqi, Arbëri, ora 15:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Podujevë organizon manifestim me rastin e 29 vjetorit të themelimit. (Restaurant Ora, ora 17:00)