21 Janar 2020

UNICEF hap Qendrën e Inovacionit për të rinjtë në Gjakovë

Prishtinë, 19 nëntor - UNICEF-i dhe Komuna e Gjakovës nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi për “Nismën e Komunës Mike ndaj Fëmijëve” që ka për synim të krijojë një komunë që është e përkushtuar ndaj realizimit të të drejtave të fëmijëve dhe është një thirrje për veprim dhe përkushtim për të përfshirë problemet e Fëmijëve në agjendën komunale të politikave qeverisëse.

 “Nisma e Komunës Mike Ndaj Fëmijëve” është një thirrje për gjithëpërfshirje dhe llogaridhënie ndaj Fëmijëve dhe promovon vizionin se fëmijët në komunën tonë do të jenë të lumtur përderisa luajnë, mësojnë dhe rriten në një komunitet të sigurt, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Për ta nisur këtë MM, si aktivitet i parë i këtij bashkëpunimi, Shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin, dhe Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, përuruan Qendrën Rinore të Inovacionit e cila ka për synim t’iu mundësojë të rinjve ta transformojnë potencialin e tyre në një jetë të suksesshme profesionale, duke i adresuar në mënyrë konkrete sfidat ekzistuese sociale brenda komuniteteve të tyre dhe duke krijuar mundësi të reja për punësim përmes ndërmarrësisë inovative sociale.

Përmes Qendrës Rinore të Inovacionit, Laboratori i Inovacioneve i UNICEF-it është duke sjellë nismat e tij më afër të rinjve, duke arritur tek ata në komunitetet ku jetojnë për të fuqizuar integrimin gjinor në inovacion dhe ekosisteme gjithëpërfshirëse inovative.

Puna në Qendër do të përqendrohet në metoda jo tradicionale të arsimit, pas orarit të mësimit, dhe në modelimin me njeriun në qendër si mjet përmes të cilit të rinjtë do t’i testojnë idetë e tyre dhe do të marrin programim të bazuar në shkathtësi, në nivel bazik. Qendra Rinore e Inovacionit është pjesë e një projekti të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe i zbatuar nga GWY (YMCA).

Gjatë përurimit, Shefi i Zyrës së UNICEF-it, z. Sahin, tha se “jemi duke u munduar të bëjmë Gjakovën qytetin më miqësor për fëmijë ne Evropë”.

Po ashtu, Kryetari i Gjakovës, z. Gjini “ftoi të gjithë adoleshentët dhe të rinjtë nga Gjakova që të shfrytëzojnë këtë mundësi për tu angazhuar në të gjithë aktivitetet në Youth Innovation Hub në Gjakovë”.

Kjo nismë është plotësisht e bazuar në parimin të mos lihet pas asnjë adoleshent apo i ri dhe është duke kontribuar në harmonizimin e fuqizimit të rinisë me Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZHQ).

Ajo do të kontribuojë për të siguruar se asnjë adoleshent, asnjë i ri/e re në këto komuna nuk do të mbetet prapa dhe se çdo adoleshent apo i ri është i qëndrueshëm dhe i përgatitur për ta marrë kontrollin mbi të ardhmen e tyre dhe për tu bërë agjentë të ndryshimit shoqëror, inovatorë apo pjesëtarë frytdhënës të shoqërisë së tyre.

Për ta arritur këtë, puna në këtë Qendër do të përqendrohet në arritjen 100% të nxënësve të klasave të 10-ta në këto komuna, duke i pajisur ata me shkathtësi të ndërmarrësisë sociale, njohurive financiare, avokimit dhe lobimit dhe njohurive të mediave kritike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2020 - Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e parë të rregullt të Komiteti për Politik dhe Financ. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova bëjnë homazhe te varri i tij. (Velani, ora 10:30) 

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj bën homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e vdekjes së tij. (Velani, ora 10:30)

- Anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike vizitojnë Familjen Rugova. (Velani, ora 10:45)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media në lidhje me projektet e ndërtimit në Liqenin e Badovcit. (Qendra e Lëvizjes në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës shënon Ditën e Arkivit me promovimin e katallogut të dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës. (Salla e Kuvendit Komunal, ndërtesa e vjeter e Komunës, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren mban konferencë për media ku do të prezantohet raporti i punës për vitin 2019 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2020. (Zyra e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prizren, rruga William Walker, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë të Lidhjes Demokratike e Kosovës. (Selia e LDK-së, ora 14:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon prezantimin e librit "Qyteti në Miniaturë". (Shkolla speciale për të verbër në Pejë, ora 14:00)

- Komuna e Gjilanit organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Teatri i qytetit te Gjilanit, ora 16:30)

- Komuna e Rahovecit organizon debat publik me banor të fshatit Opterushë dhe fshatrave për rreth për krijimin e Zonës Ekonomike. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Lidhja e Prizrenit” në fshatin Opterushë, ora 17:00)