24 Prill 2019

Trump sulmon rrjetet sociale Facebook, Twitter dhe Google

Washington, 21 mars - Presidenti Donald Trump ka akuzuar mediat sociale, si platformat Facebook, Google dhe Twitter, se janë të njëanshëm dhe sugjeroi që situata duhet të shqyrtohet me vëmendje.

Presidenti Trump, një përdorues i pasionuar i Twitter-it, ka mbështetur ligjvënësin nga Kalifornia Devin Nunez, republikani më i lartë në Komisionin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ka paraqitur kundër Twitter-it një padi për shpifje dhe neglizhencë, ku pretendon se kompania mundësoi një fushatë të rëndë kundër tij.

Në përgjigjen dhënë një gazetari në Shtëpinë e Bardhë të martën, presidenti Trump tha se platformat digjitale kanë tendencë të përjashtojnë apo të ndrydhin pikëpamjet republikane dhe konservatore.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin brazilian Zhair Bolsonaro, presidenti Trump tha se përçon mesazhin e tij tek më shumë se 100 milionë njerëz përmes Twitter-it dhe platformave të tjera dixhitale.

Ai e shfrytëzon mirë këtë vëmendje. Të dhënat nga Facebook-u dhe raportet e transparencës politike të kompanisë Google, të grumbulluara nga organizata Bully Pulpit Interactive, tregojnë se fushata për rizgjedhjen e presidentit Trump ka harxhuar pothuajse dy herë më shumë fonde sesa të gjithë kandidatët demokratë për reklamat në Facebook dhe Google. Por të martën, ai i akuzoi këto kompani si të njëanëshme.

"Këto po ndodhin. Llogari të caktuara po bllokohen. Njerëzit nuk po lejohen të shprehen. Keni dëgjuar ankesa të ngjashme dhe duket se nëse janë konservatorë, nëse janë republikanë, nëse i përkasin një grupi të caktuar, ka diskriminim dhe diskriminim të madh. E shoh këtë shumë qartë në Twitter dhe Facebook, ku jam aktiv si edhe të tjerët".

Të martën, drejtori për mediat sociale i zotit Trump, Dan Scavino, postoi një mesazh të irrituar në Facebook, me pyetjen se përse rrjeti kishte bllokuar komentet në llogarinë e tij.

Gjigandi i medias sociale kërkoi falje duke thënë se algoritmi i Facebook-ut kufizon numrin e postimeve "të njëjta, të përsëritura" në një llogari të vetme në një periudhë të shkurtër kohore, në përpjekje për të bllokuar spamin.

Por Trump akuzoi platformat sociale, shfaqjet televizive dhe mediat e lajmeve në përgjithësi se anojnë nga "Demokratët e Radikalëve të Majtë" dhe tha se përdoruesit janë të vetëdijshëm për këtë.

"Njerëzit janë të zgjuar, ata e kuptojnë. E provojnë këtë eksperiencë dhe në fund, marrin vendimin e duhur. Është një situatë shumë e rrezikshme. Pra jam dakord me idenë se kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes", tha presidenti.

Ligjvënësi Nunez ngriti të hënën një padi kundër Twitter-it dhe tre përdoruesve të tij, duke pretenduar se i kishin shkaktuar një dëm prej të paktën 250 milionë dollarësh.

Nunez, i cili ishte anëtar i ekipit të tranzicionit të presidentit Trump, pretendon se Twitter-i me dashje nuk arriti të mbyllë llogaritë e rreme ku atë e fyenin.

Ky rast po nxit debatin nëse vendosja e rregulloreve për mediat sociale do të përbënte censurim apo mbrojtje të sigurt nga ngacmimet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 prill 2019 - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon takim mikpritës për drejtorët e Drejtorive Komunale për Arsim. (Rektorati i UP-së, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve. (Selia e KQZ-së, ora 9:00)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale organizon debat për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura. (Hotel AFA, ora 10:00)

- Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komisionit Kombëtarë Zviceran për Parandalim të Torturës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili vepron si Mekanizëm Kombëtar për Parandalim të tortures, për monitorim të përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.​ (Salla për konferenca e Avokatit të Popullit, ora 10:00)

- Qendra e Karrieres në kuadër te Drejtorise se Planifikimit dhe Zhvillimit të Qendrueshem organizon hapjen e “Panairit te Karrieres” 3 ditor. (Hapsirat e Qendres se Karrieres, në lagjen Taslixhe, ora 10:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ceremoninë zyrtare të hapjes së aktivitetit “Ditët e Orientimit për Maturantë”. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Hapet Panairi i Studimeve, ku universitete të ndryshme të Kosovës dhe regjionit, do të prezantojnë profilet akademike. (Kampusi i shkollave të mesme në Gjilan, ora 10:30)

- Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës do të organizojë Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2019”, me qëllim të promovimit të kompanive Kosovare dhe produkteve të tyre brenda Kosovës, rajonit dhe më gjerë. (Qendra e Panaireve, fshati Shkabaj, Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë, ora 10:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Hapjen e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2019”. (Fshati Shkabaj, Qendra e Panaireve, ora 10:30)

- Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa raporton para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe incidentet që kanë motive ndëretnike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim do të nënshkruajë një marrëveshje për të mbështetur Gjykatën Themelore të Mitrovicës. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2018, shqyrtimi i Raportit vjetor i Akademisë së Drejtësisë për vitin 2018, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Qendra Mediale në Çagllavicë mban debat publik me temën 'Uzurpimi i pronës në Kosovë - problem edhe pas 20 viteve'. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit me amendamente të Grupit Punues të Komisionit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrët qendrore të Vetëvendosjes, ora 12:00)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë organizon aktivitetin kryesor të shënimit të javës së imunizimit për këtë vit. (Fshati Magure i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Mitrovicë organizon aksion simbolik lidhur me zhagitjen e punimeve në tunel, i cili vazhdon ende të jetë i bllokuar duke shkaktuar kështu kaos total të trafikut në qytetin e Mitrovicës. (Tek tuneli i bllokuar në Mitrovicë nga ana e Zhabarit, ora 12:00)

- Mbahet seanca përfundimtare për rivendosje në lidhje me kërkesën e profesorit te Fakultetit Juridik, Mejdi Bektashi i cili e ka paditur organizatën joqeveritare Admovere për shpifje, pas publikimit të raportit 'Stafi Akademik i UP-së'  në të cilin Bektashi ishte radhitur si njëri nga profesorët plagjiatorë. (Gjykata Themelore në Pallatin e Drejtësisë, objekti A, numër 204, ora 13:30)