20 Gusht 2019

Transparenca është kusht i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit

Prishtinë, 30 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në konferencën për lansimin zyrtar të bazës së të dhënave të Gazetës Zyrtare dhe aplikacionit mobil, qëllimi i së cilës është informimi i publikut me Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe aplikacionin mobil përkatës.

Kryeministri me këtë rast tha se sot e kemi shënuar edhe një të arritur të përbashkët, të Qeverisë së Kosovës dhe USAID-it.

Kryeministri tha se përmes kësaj konference, jo vetëm që po lansohet një nisje e re vetëdijësuese, por edhe një produkt i ri, që është aplikacioni online, përmes të cilit qytetari i Kosovës mund të lexojë direkt të gjitha ligjet, publikimet zyrtare të qeverisë së vendit.

“Janë afro 8000 dokumente zyrtare tani të alokuara në këtë aplikacion dhe kjo është një dëshmi se në këtë mënyrë, së bashku ne po e rrisim transparencën”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se transparenca është kusht i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit dhe të gjitha shkeljeve ligjore, duke ndihmuar qytetarët që të shohin të drejtat e tyre direkt në bazë të ligjit, dhe t’i shohin direkt veprimet që i ndërmerr qeverisja.

Duke i falënderuar të gjithë ata që në vazhdimësi kanë kontribuuar që ky aplikacion i ri të jetë në prani të të gjithë qytetarëve, kryeministri uroi që me këtë punë të mirë të mos ndalemi me kaq.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie u shpreh i lumtur për këtë të arritur të Zyrës së Kryeministrit së bashku me ndihmën e USAID-it.

“Besoj fuqimisht në partneritetin tonë me Kosovën dhe uroj për punën e mirë që është bërë nga Gazeta Zyrtare, që është ndër më të parapëlqyerat”, tha ambasadori Delawie.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)