27 Prill 2024

Themelohet Parku Inovativ dhe trajnues Kosovë-Gjermani

Prishtinë, 5 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka nënshkruar një deklaratë të qëllimit me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, për shfrytëzimin e mëtejmë të kampit në Prizren si park inovativ dhe trajnues kosovaro- gjerman (ITP).

Deklarata e përbashkët paraqet bazën për vazhdimin e raporteve kosovaro-gjermane pas tërheqjes së KFOR-it gjerman nga kampi në Prizren dhe për prioritizimin e pesë fushave në kuadër të kampit të planifikuar: Inovacioni (teknologjia dhe ndërmarrësia); aftësimi profesional, si dhe edukimi formal dhe jo-formal; shkenca dhe hulumtimi; bujqësia, si dhe turizmi dhe kultura.

Qëllimi është që nëpërmjet sinergjive të edukimit dhe aftësimit profesional, shkencës dhe ndërmarrësisë të jepet kontribut për zhvillimin ekonomik dhe social në komunën e Prizrenit, në gjithë Kosovën dhe në pikëpamje perspektive edhe në rajon.

Kjo deklaratë nënvizon angazhimin e Qeverisë Gjermane që në vazhdimësi të jap një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe të mbështes atë edhe më tutje në rrugën e saj drejtë strukturave euro-atlantike.

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se “ Tani flamuri i Gjermanisë që ka valuar në bazën ushtarake do ta ketë një mision tjetër, atë të prosperitetit të Kosovës, të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike dhe ky është një lajm i mirë, dhe i falënderoj për besim institucionet e Qeverisë së Gjermanisë dhe njëkohësisht iu shpreh përkushtimin dhe vendosmërinë tonë, që këtij projekti të përbashkët t’i japim përkrahjen e parezervë ”.

Kryeministri Haradinaj shtoi se nënshkrimi i sotëm “është një porosi e mirë e prosperitetit, e zhvillimit ekonomik. Janë disa fusha të rëndësishme që do të ketë ndikim parku në zhvillimin e vendit dhe është një ndërmarrje e përbashkët Kosovë-Gjermani. Edhe njëherë e konfirmoj se institucionet e Kosovës do të jenë të vendosura që të zbatojnë këtë projekt të përbashkët dhe i falënderoj për besimin institucionet e Gjermanisë që të gjithë, njëkohësisht delegacionin”.

Për Qeverinë Gjermane nënshkroi Ambasadori Gjerman, Christian Heldt dhe në fjalimin e tij theksoi: “Jam shumë i lumtur që flamuri gjerman do të valëvitet edhe në të ardhmen në Prizren. Ai në të ardhmen nuk do të jetë më një shenjë e pranisë së Bundeswehr-it.

Në vend të kësaj, bashkë me flamurin kosovar ai do të qëndrojë si premtim për një ardhmëri të suksesshme ekonomike të Kosovës. Për mua personalisht është shumë e rëndësishme që parku i ri inovativ dhe trajnues gjermano-kosovar të ju mundëson kosovarëve të rinj të ndërtojnë një të ardhme në shtetin e tyre të ri“. 

Deklarata e qëllimit e nënshkruar sot është një hap i rëndësishëm drejtë krijimit të vendeve të reja të punës, për shfrytëzimin e potencialit Kosovar të inovacionit, si dhe për mbështetjen e iniciativave kulturore dhe sociale.

Iniciativa është një projekt i rëndësishëm i bashkëpunimit të dy qeverive dhe në anën kosovare përkrahet drejtpërdrejt nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Deklarata nga sot hyn në fuqi dhe hap rrugën për hapat e mëtejmë operacional.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)