29 Mars 2024

SHBA do të udhëheqë përpjekjet kundër sulmeve kibernetike

Washington 21 dhjetor - Zyrtarët amerikanë thanë se Koreja e Veriut është identifikuar si origjinë e sulmeve kibernetike që shkaktuan dëme të konsiderueshme ndaj organizatave në Britani, Australi, Kanada, Zelandën e Re dhe Japoni gjatë këtij viti.

Ekspertë të kibernetikës pajtohen se Koreja e Veriut përdori virusin “WannaCry” për të marrë peng 230 mijë kompjutera në më shumë se 150 vende të botës.

Vendi komunist po ashtu fajësohet për vjedhje të monedhave dixhitale si bitcoin. Shtëpia e Bardhë tha se Koreja e Veriut do të mbahet përgjegjëse për aktivitetin e saj kriminal kibernetik.

Shtëpia e Bardhë vlerësoi kontributin e kompanive private për gjetjen e fajtorit dhe parandalimin dëmeve të mëtejshme në hapësirën kibernetike globale.

Thomas Bossert, këshilltar për Sigurinë Kombëtare ka thënë “Vlerësojmë korporatat si 'Microsoft' dhe 'Facebook', veçanërisht për iniciativën e tyre për të vepruar javën e shkuar pa ndonjë udhëzim nga qeveria amerikane apo koordinim për të penguar hakerët nga Koreja e Veriut.”

Jeanette Manfra, eksperte për sigurinë kibernetike në Departamentin e Sigurisë Kombëtare thotë se qeveria e diktoi problemin në fillim të majit.

“Fillimisht mësuam se diçka e pazakontë po ndodhte nga partnerët në rajonin e Azi-Paqësorit ndërsa një virus përshkronte globin, u informuam nga partnerët në Evropë. U prek sistemi shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne e kuptuam që kishim të bënim me një problem serioz, prandaj koordinuam punën me partnerët tanë të brendëshëm të industrisë.”

Ekspertë të sigurisë kibernetike në Amerikë dhe gjetkë kanë dalë në përfundimin se grupe hakerash koreano-veriorë të lidhur me qeverinë janë përgjegjës për sulmet.

Një ekspert në Romë, Fabio Rugge me Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Politike,thotë se arsyeja kryesore është se Korea e Veriut ka nevojë për para.

“Koreja e Veriut ka nevoja të mëdha për para dhe ky sulm kibernetik u dha atyre monedha dixhitale bitcoin për të financuar regjimin. Një element i dytë është dëshira e Koresë së Veriut për të vënë në dukje aftësitë e veta. Për shembull, për të treguar se çfarë mund të bëjnë nëse kjo krizë konvencionale në Korenë e Veriut përhapet.”

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin përpjekjet ndërkombëtare për ta bërë më të vështirë hakerimin dhe më të kushtueshëm për autorët.

“Presidenti Trump ka bashkuar aleatët dhe kompanitë e teknologjisë në botën e lirë për të rritur sigurinë dhe qendrueshmërinë e internetit. Bashkëpunimi mes qeverive dhe industrisë do të sjellë përmirësim të sigurisë dhe ne nuk mund të presim më.”

Pheniani është akuzuar për përdorim të virusit “WannaCry” për të marrë peng rrjetet kompjuterike të organizatave si “Sony Pictures Entertainment” me seli në Shtetet e Bashkuara,firmës spanjolle të telefonisë “Telefonica” dhe Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Britani, duke kërkuar para në shkëmbim të çbllokimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)