18 Prill 2024

Promovohet iPhone OS 4.0

SHBA, 12 prill - Drejtori legjendar i Apple Steve Jobs edhe një herë është ngjitur në skenën e ndërtesës së Apple në Cupertino dhe ka paraqitur risitë të cilat i presin përdoruesit e pajisjeve iPhone gjatë kësaj vere në formë të versionit të sistemit të ri operativ iPhone OS 4.0. Në iPad versioni i ri i sistemit operativ do të vjen në vjeshtë.

iPhone OS 4.0 do t\'u vihet në dispozicion përdoruesve gjatë kësaj vere dhe do të sjell shtatë mundësi kryesore, në mesin e të cilave sigurisht më e rëndësishmja është mundësia e ekzekutimit të më shumë aplikacioneve në të njëjtën kohë (multi-tasking). Në Apple pohojnë se kjo gjë nuk do t\'i bëhet barrë kohëzgjatjes së baterisë dhe shpejtësisë së punës, e ne shpresojmë se edhe do të jetë ashtu. Fatkeqësisht, multi-tasking do të punojë vetëm në iPhone 3GS e iPod Touch, e pronarët e modeleve më të vjetra nuk do ta kanë këtë mundësi.

Nga pikëpamja e përdoruesve, kjo gjë është e thjeshtë - kur keni më shumë aplikacione të hapura, mund të kaloni nga njëra në tjetrën falë përzgjedhësit në fund të ekranit të pajisjes së tyre iPhone.

Shumë nga risitë tjera të përmendura më lartë janë të lidhura ngushtë pikërisht me multi-tasking; për shembull, prej tani e tutje do të mund të përdorni aplikacionin GPS dhe në të njëjtën kohë të dëgjoni muzikë nga ndonjë radiostacion i internetit, e do të mund të flisni edhe nëpërmes aplikacioneve VoIP derisa të jeni duke bërë diçka tjetër.

Sistemi i ri operativ për iPhone do të ofrojë mbështetje edhe për vendosjen e disa aplikacioneve në dosje (folder). Një mundësi bukur e mirë të cilën tanimë e kemi parë në forma të ndryshme në disa aplikacione tjera.

Risia tjetër është aplikacioni i përmirësuar për postën elektronike (e-mail), i cili tani mbështet një arkë (inbox) të vetme. Me fjalë tjera, tani e tutje do të mund të pranoni në një arkë e-mailat nga disa llogari të ndryshme.

Numri katër në listën e Steve Jobs vjen nga tableti iPad; bëhet fjalë për aplikacionin iBooks, që do të thotë se prej tani e tutje do të mund të blini dhe lexoni libra në pajisjen tuaj iPhone. Natyrisht, kjo përvojë nuk do të jetë aq e rehatshme sa në iPad, i cili ka ekran më të madh, mirëpo edhe iPhone mund të shërbej për këtë qëllim.

Edhe përdoruesit korporativ kanë fituar disa mundësi të reja interesante. Si më të rëndësishme do të veçonim mbështetjen për disa llogari të përdoruesve Exchange dhe mbrojtje më të mirë të dhënave
.
Risia e radhës është Game Center, një vend qendror për të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me lojërat në iPhone. Në të do të gjendet top lista, mundësitë e grupimit me lojtarë tjerë... shkurt e shqip, iPhone është bërë me versionin e vet të PlayStation Home, respektivisht me Xbox Live.

Risia e fundit sigurisht është më e rëndësishmja për vet kompaninë Apple, dhe quhet iAd. Bëhet fjalë për reklamimin në iPhone, por Apple ka ide krejtësisht tjetër si ta bëj këtë. Në vend që reklamat të jenë brenda aplikacionit dhe pas klikimit t\'u largojnë nga ai dhe t\'u dërgojnë në shfletues të internetit, Apple do të integrojë reklamat interaktive brenda vet sistemit operativ, kështu që krejt kjo përvojë do të jetë shumë më e rehatshme për përdoruesit. Apple do të ndajë fitimin me reklamuesit në përqindje 60:40, e vlerësimi i tyre është se iPhone OS si platformë është aq e madhe, sa që një miliardë shfletime në ditë është shifër krejtësisht reale.

Pos këtyre risive, Steve Jobs sërish ka dhënë disa shifra që kanë të bëjnë me pajisjet iPhone e iPad. Apple deri më tani ka shitur 450.000 njësi të iPad, 50 milionë iPhone dhe 35 milionë iPod Touch. Nuk është aspak çudi pse aksionet e kësaj kompanie gjatë javëve të fundit kanë fluturuar në qiell.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)