25 Qershor 2022

Programi ACCESS shënon fundin e suksesshëm të aktiviteteve të tij

Prishtinë, 16 maj - Sot u mbajt ngjarja përmbyllëse e programit ACCESS, program ky i cili pati për qëllim të lehtësojë zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. Ky program ka ardhur si nevojë e adresimit të sfidave dhe faktorëve të cilët pengojnë qasjen në treg dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të tregut në Kosovë.

Përgjatë katër viteve, ACCESS ka kontribuar në forcimin e aftësive konkurruese të ndërmarrjeve të sektorit privat dhe në rritjen e të ardhurave të tyre nëpërmjet qasjes së lehtësuar në treg brenda dhe jashtë vendit.

ACCESS ka lehtësuar transformimi digjital të NVM-ve kosovare përmes Iniciativës për Fuqizim Digjital, ka mundësuar krijimin e shërbimeve digjitale për bizneset fillestare dhe NVM-të përmes krijimit të Shërbimit Themelues në MINT dhe ka krijuar lidhje tregtare mes ndërmarrësve vendor dhe të huaj.

Po ashtu ky program ka rritur efikasitetin e bizneseve përmes krijimit të bazës ligjore për Shërbimet Elektronike të Identifikimit, Vërtetimit dhe Besimit (e-iDAS); ka transpozuar ligjin dhe aktet nënligjore të Diirektivës së BE për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit (NIS) dhe ka hartuar studimin e fizibilitetit për digjitalizimin e Postës së Kosovës.

Përmes kësaj ACCESS ka kontribuar në fuqizimin e e-tregtisë, e-qeverisjes dhe sigurisë kibernetike. ACCESS ka lehtësuar edhe ndërkombëtarizimin e NVM-ve të Kosovës përmes aktiviteteve të promovimit të eksportit dhe ka ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të konsulencës nëpërmjet certifikimit të konsulentëve vendor dhe akreditimit ndërkombëtar të shoqatës së tyre (BCC) për të ofruar certifikime për transformim digjital.

Programi ACCESS është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, bashkëfinancuar nga qeveria e Kosovës dhe implementuar nga ECIKS.

Të pranishmeve iu drejtua edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, z. Christoph Weidinger, dhe Martin Engelberg, deputet i Parlamentit të Republikës së Austrisë, përgjegjës për Bashkëpunimin Zhvillimor Austriak, si dhe zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku.

Pjesëmarrës tjerë në këtë ngjarje përmbyllëse ishin përfaqësues të ministrive në linjë, bashkëpunëtorët dhe përkrahësit e programit, në mesin e tyre përfaqësueses të sektorit publik dhe privat, ndërmarrës, por edhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.  

“Ndërsa Republika e Kosovës shikon drejt një të ardhmeje me rritje dhe përfshirje më të madhe ekonomike, Republika e Austrisë do të vazhdojë të bëjë hapa të rëndësishëm jo vetëm në promovimin e transformimit digjital të sektorit publik dhe privat të Kosovës, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së saj digjitale dhe fizike.” - tha Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Nga Ministria e Ekonomisë, u tha që transformimi digjital përfshin shumë më shumë se integrimin e teknologjive digjitale. Dhe pikërisht aktivitetet e projektit ACCESS kanë ndihmuar në transformimin e mënyrës së të menduarit tek ne, në atë mënyrë që të konsiderojmë përdorimin e mjeteve dhe shkathtësive digjitale si mundësi dhe vlerë të shtuar në krijimin e përparësive krahasuese për ekonominë tonë.

Kurse zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku tha që digjitalizimi është shumë i rëndësishëm për Qeverinë dhe është pikë ndërlidhëse për të gjitha ministritë.

“Në programin tonë digjitalizimi zë vend të rëndësishëm dhe ndërthurë të gjithë sektorët si atë publik dhe privat. Ne në agjendë kemi disa projektligje të rëndësishme që digjitalizimin e kanë për qëllim, për proceset e qëndrueshme të zhvillimit të vendit”- shtoi ai.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2022 - Pishina e vetme e kryeqytetit hapë sezonin veror 2022. (Pishina në hyrje të parkut Gërmia, ora 10:00)

- Komisioni i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës - Dega Gjilan, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)  

- Rrjeti i OJQ-ve AVONET dhe komuniteti i biznesit në Komunën e Vitisë organizon konferencë për media lidhur me mosbashkëpunimin e Qeverisë lokale, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka ndikuar në ngecje të projekteve, neglizhencë, e mosadresim të tyre. (Përballë Shtëpisë së Kulturës "Gursel e Bajram Sylejmani" në Viti, ora 12:30)