28 Mars 2024

NASA zbulon vrimën e zezë me moshë më të re

Florida, 1 janar - Një teleskop i NASA-s ka regjistruar prova të ekzistencës së vrimës së zezë me moshën më të re të zbuluar ndonjëherë, e cila ndodhet rreth 50 milionë vite drite larg Tokës.

Objekti hapsinor u krijua nga një supernova që u zbulua 3 dekada më parë nga një astronom amator:

Astronomi Gus Johnson ishte i pari që e zbuloi shpërthimin masiv që u pagëzua me emrin Supernova 1979C.

Që nga ai moment, studimet që pasuan zbuluan se supernova ishte një burim i fuqishëm rrezesh X, që janë tipike të vrimave të zeza.

Këto vrima kanë përmasa gjigande dhe forcë rëndese aq të madhe, sa që nuk lejojnë as daljen e dritës. Ato shpesh formohen në përfundim të ekzistencës së një ylli.

Kur një yll ka konsumuar energjinë e tij atomike, bërthama e tij shpërbëhet dhe kthehet në supernova.

Daniel Patnod i Qendrës Harvard-Smithsonian për Astrofizikën, drejtues i studimit mbi vrimën e zezë, thotë se nganjëherë ky proces rezulton në krijimin e një vrime të zezë, por herë të tjera të një ylli neutron:

“Rezultatet që zbuluam këtë radhë mund të jenë të rëndësishme, pasi ende nuk e kemi të qartë se cilat supernova formojnë vrima të zeza dhe cilat formojnë yje neutron?”

Pas studimit të objektit me rreze X, zoti Patnod thotë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Supernova 1979C ka krijuar një vrimë të zezë. Të dhënat e mbledhura nga teleskopi i NASA-s Chandra ofrojnë vetëm prova jo-të drejtpërdrejta.

Por kolegu i tij Avi Lohb thotë se nëse vërtetë bëhet fjalë për një vrimë të zezë, të dhënat mund të ofrojnë prova të rëndësishme për burimin energjetik që ushqen një supernova. Po ashtu me këtë rast ofrohet një mundësi për të studiuar disa prej rrethanave më ekstreme që ekzistojnë në gjithësi:

“Procesi zhvillohet në kushte të një dendësie tepër të lartë, të afërt me dendësinë e bërthamës së atomit, të cilën nuk mund ta riprodhojmë në kushte laboratorike. Duke vëzhguar proceset në hapësirë, ne mësojmë për rrethana që ekzistojnë vetëm në atë mjedis”.

Astronomët kanë zbuluar plot vrima të tjera të zeza në galaksinë tonë, por kurrë nuk kanë arritur të ndjekin procesin e formimit të tyre.

Shkencëtarja Kimberly Weaver thekson se ky zbulim ofron një mundësi unike për të ndjekur lindjen dhe fazat e para të ekzistencës së një prej objekteve qiellore më misterioze.

“Nuk është thjesht zbulimi i vrimës së zezë më të re të zbuluar ndonjëherë, por fakti që dimë me ekzaktësi kohën e lindjes së kësaj vrime. Për herë të parë kemi zbuluar ditëlindjen e vërtetë të një vrime të zezë”.

Ndërkohë që astronomët vazhdojnë ta studiojnë këtë objekt, ata shpresojnë se do të mësojmë më shumë për procesin e zgjerimit të vrimave të zeza duke përpirë materie përreth.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)