08 Korrik 2020

MIN investon 200 mijë euro për hapjen e Qendrës Inovative në Shtime

Prishtinë, 21 gusht - Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim ismajli, për rregullimin e Qendrës Mulitifunksionale Inovative në Shtime.

Ministri Shala ka bërë të ditur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, do të investojë 200 mijë euro për rregullimin e kësaj qendre, e cila do të shërbejë për bizneset, të rinjtë dhe individët që duan të merren me fushën e teknologjisë informative dhe inovacionit.

Ministri Shala pas nënshkrimit të memorandumit ka thënë se hapja e kësaj qendre multifunksionale do të krijojë mundësi të reja për të rinjtë dhe implementimin e ideve të tyre inovative.

“Kjo marrëveshje është vazhdimësi e marrëveshjeve të tjera, për të krijuar qendra të reja multifunksionale për inovacion. Qendra Multifunksionale Inovative në Shtime, do të shërbejë për krijimin e 50 mijë inxhinierëve të IT-së, pasi që është nevojë edhe e tregut, pjesa tjetër do të shërbejë edhe për krijimin e 5000 Start –up bizneseve inovative që është edhe njëra nga objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, tha ai.

Ministri në detyrë Shala tha se janë duke i hulumtuar modelet më të mira të qendrave të inovacionit, për të krijuar sa më shumë hapësira për të rinjtë, bizneset dhe individët.

“Kjo hapësirë është e destinuar për studentët, ndërmarrjet inovative në proces të parainkubimit dhe inkubimit dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale në fushën e inovacionit. Qendra Multifunksionale Inovative, nuk do të jetë sikur qendrat tjera të inovacionit, por do të përfshijë një domen më të gjerë të veprimtarisë pasi që brenda saj, do të këtë edhe salla të trajnimeve për të rinjtë në fushën e teknologjisë informative, inxhinierisë dhe zhvillimit të softuerit”, tha ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Muzafer Shala.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se investimi i 200 mijë eurove për hapjen e Qendrës Multifunksionle inovative, do të hapë perspektiva të reja për të rinjtë e kësaj ane.  

Ndryshe, deri më tani janë nënshkruar marrëveshjet për krijimin e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj, asaj në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin e Mitrovicës, kurse Ministria e Inovacionit është në proces të krijimit të qendrës së inovacionit edhe në Pejë.​

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Korrik 2020  - Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton në parim Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendi, salla C301, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, me bashkëpunëtorë, do të vizitojë Zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit. (Fshati Qylagë në Lipjan, ora 10:00)

- Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Rrjetit të Grave të Kosovës, Shoqatës “Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, i cili qëllim kryesor ka krijimin e lehtësirave në punësim, të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës. (Hapësirat e Ministrisë së Drejtësisë, kati i 9-të, salla 914, ora 11:00)

- Komuna mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Çifllak, Polluzhë dhe Dobidol për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Rilindja”në fshatin Çifllak, ora 19:00)

- Komuna mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Kramovik, Guri i Kuq dhe Mrasor për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “Mustafë Ibishi” në fshatin Kramovik, ora 20:00)