19 Shtator 2020

Microsoft, në përpjekje për të blerë aplikacionin TikTok në SHBA

New York, 4 gusht - Kompania Microsoft konfirmoi se kishte zhvilluar bisedime me kompaninë kineze të teknologjisë ByteDance, për të blerë aplikacionin TikTok, mjaft të përhapur në Shtetet e Bashkuara.

Microsofti tha se do të punojë me qeverinë amerikane për një marrëveshje, që shpreson ta finalizojë deri më 15 shtator.

Zëri i Amerikës, njofton se TikTok ka tërhequr vëmendjen që kur u krijua dhe jo vetëm mes adoleshentëve.

Për më shumë se një vit, aplikacioni popullor nën pronësinë e kompanisë kineze, ByteDance, është ndjekur nga afër nga administrata e Presidentit Trump, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Pasi paralajmëroi fillimisht se do ta ndalonte aplikacionin në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump e zbuti qëndrimin e tij të dielën, pas një telefonate me shefin ekzekutiv të Microsoftit, që është në bisedime për të blerë kompaninë.

TikTok ka miliona përdorues në Shtetet e Bashkuara dhe është jashtëzakonisht poopullor me adoleshentët, të cilët postojnë video të shkurtra, shpesh me humor. Ashtu si edhe media të tjera sociale, si Facebook dhe WhatsApp, mbledh të dhëna personale të përdoruesve.

Ndërsa kompanitë e mëdha teknologjike janë ndjekur me kujdes lidhur me grumbullimin e të dhënave në Shtetet e Bashkuara, disa udhëheqës amerikanë janë alarmuar nga mundësia që të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze.

“Shqetësimi ka të bëjë me vlerën afatgjatë politike, ekonomike dhe të zbulimit të këtyre të dhënave që mblidhen nga të rinjtë në Shtetet e Bashkuara. Pas 10 vjetësh, këta të rinj do të jenë të rritur dhe disa prej tyre mund të kenë pozita të larta ose në poste të rëndësishme të lidhura me pronësinë intelektuale”, thotë Steven Weber, zëvendës dekan i Fakultetit të Informacionit, në Universitetin e Kalifornisë, në Bërkli.

Rritja marramendëse e TikTok-ut ka tërhequr vëmendjen edhe për arsye të tjera. I njohur kryesisht për video humori dhe muzike, aktivistët e rinj e kanë përdorur me sukses për të mbështetur lëvizjen Black Lives Matter...

Vendet e zbrazëta në një tubim rizgjedhjeje të Presidentit Trump në Oklahoma, ishin pjesërisht rezultat i regjistrimit të përdoruesve të aplikacionit për bileta që nuk kishin ndër mend t’i përdornin.

Ish-punonjës dhe dokumenta të brendshme kanë nxjerrë në paj se TikTok ka censuruar postime që kritikojnë qeverinë kineze si protestat pro-demokraci në Hong Kong, sipas njoftimeve të medias.

Të hënën, Presidenti Trump tha se TikTok mund të vazhdonte të funksiononte në Shtetet e Bashkuara, me disa kushte.

“Nuk do ta kem problem, nëse e blen Microsofti, ose ndonjë kompani tjetër e madhe, e sigurt amerikane”, tha ai.

Marrëdhëniet dikur të mira mes kompanive amerikane dhe kineze të teknologjisë, filluan të dëmtoheshin kur kompania e celularëve Huawei dhe platforma e videokonferencave Zoom, u vunë në shënjester të ligjvënësve amerikanë, për shqetësime sigurie.

“Para dy vjetësh, për shumë njerëz ishte e pakonceptueshme që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të shkëpusnin zinxhirin e furnizimit në fushën e teknologjisë. Dhe shumë janë befasuar me gadishmërinë e Shtetevet ë Bashkuara për ta bërë një gjë të tillë”, thotë profesor Weber.

Presidenti Trump ka caktuar 15 shtatorin si afat për një marrëveshje të blerjes së TikTok-ut nga një kompani amerikane.

Ndërkohë Instagrami pritet që në javët e ardhshme të publikojë një aplikacion të ngjashëm me TikTok-un.

Çka do të thotë që TikTok-ut nuk i mbetet shumë kohë për të vepruar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Shtator 2020 - Për nder të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, “Muzeu Lëvizës”, Komuna e Prishtines bashkë me Muzeun e mirëpresim edhe nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe drejtoreshën ekzekutive të Unioni i Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo hapin 'Muzeu Lëvizës'. (Sheshi 'Ibrahim Rugova', ora 10:00)

- Let’s Do It Kosova në kuadër të Lëvizjes Globale “Let’s Do It World” sjell përsëri në Kosovë “Ditën e Pastrimit të Botës 2020” ku do të fillojë me aktiviteti te pastrimin e qytetit nga mbeturinat. (Në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”, lokacioni te parkingu i autobusëve, ora 11:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Muzeun e Kosovës. (Muzeu i Kosovës, ora 11:30)

- Let’s Do It Kosova vazhdon me aktivitetin e dytë qëndror për shënimin e “Ditës së Pastrimit të Botës 2020”. (Parku i Qytetit të Prishtinë, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flasin Kryetari i LV-së, Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 14:00)

- Përfaqësues të lartë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës mbajn konferencë për media, të organizuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me aksionin e realizuar mbrëmë në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës dhe rajone tjera. (Prokuroria Themelore në Gjilan, rruga ‘’Marie Shllaku’’, ora 14:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat”. (Kopshtin “Cicërimat”, ora 14:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Parku Germia. (Parku Germia, ora 15:00)