16 Prill 2024

Japonia do të investojë afro 500 milionë dollarë për prodhimin e çipave

Tokio, 11 nëntor - Japonia do të investojë afro 500 milionë dollarë për të rritur zhvillimin dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve në një përpjekje që të kapë "shansin e fundit" që të mbajë pozitën e saj si lojtar kryesor në skenën globale të teknologjisë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë, kompania e re Rapidus që do të thotë "i shpejtë" në latinisht, do të punojë në zhvillimin e gjysmëpërçuesve të gjeneratës së ardhshme ose "post-5G".

Këto çipa të avancuar do të mundësojnë vegla inteligjente dhe qytete inteligjente me sensorë dhe transmetim me shpejtësi të lartë. Komponentët duhet të jenë jashtëzakonisht të hollë - sa një qime.

Përpjekja prej 70 miliardë jenësh (490 milionë dollarë) do të përfshijë bashkëpunimin e ngushtë me aleatin kryesor të Japonisë, SHBA-në për të mbledhur "më të mirët dhe më të zgjuarit" nga të dy vendet, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Japonia prej kohësh ka qenë krenare si fuqi teknologjike, përfshirë prodhimin e çipave, por ministria pranoi sot se Japonia kishte mbetur 10 vjet prapa konkurrencës globale, duke përfshirë SHBA-në, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe disa vende evropiane.

Tani është "shansi i fundit i Japonisë" për të mbetur si lojtar në këtë sektor, thuhet më tej.

Mbylljet e fundit në Kinë në lidhje me pandeminë e COVID-19 kanë nxjerrë në pah varësinë e Japonisë nga vendet e tjera për çipat kompjuterikë dhe komponentët e tjerë të rëndësishëm. Analistët thonë se e ardhmja e pasigurt e marrëdhënieve SHBA-Kinë, e cila mund të vë në rrezik furnizimet nga Kina, shton edhe më tej shqetësimet.

Kompanitë e përfshira në Rapidus janë prodhuesi i automjeteve Toyota Motor Corp., prodhuesit e elektronikës Sony Group Corp. dhe NEC Corp., së bashku me SoftBank Corp., Nippon Telegraph dhe Telephone Corp., Denso Corp si dhe Kioxia.

Çipat e gjeneratës së ardhshme pritet të jenë vendimtare për inteligjencën artificiale dhe sistemet e drejtimit të automatizuar. Investimet në këtë lloj teknologjie do të çojë në vende pune dhe rritje, sipas qeverisë japoneze. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)