20 Gusht 2019

Investimi në rininë, investimi më i sigurt për të ardhmen

Prishtinë, 11 dhjetor - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar përfaqësuesit e Inovations Lab Kosova, të prirë nga znj. Hana Sahatqija përgjegjëse e programit për rini në Unicef, me të cilën diskutoi për rëndësinë e kreativitetit si një burim të pazëvendësueshëm dhe forcë lëvizëse për ndryshime pozitive në shoqëri.

 “Ndër sfidat kryesore janë nevoja për ngritjen e bazës së prodhimit, zhvillimi i kapaciteteve eksportuese, mbyllja e boshllëkut të konkurrueshmërisë, përmirësimi i mjedisit afarist, me qëllim të krijimit të një klime më të mirë të investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës për rininë tonë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah se rinia është subjekt i rëndësishëm i ndryshimit në komunitet dhe shoqëri.

Ministrja Hoxha lavdëroi punën e Innovation Lab, duke e përgëzuar znj. Sahatqija dhe ofroi mbështetje për misionin e tyre për sensibilizimin e rinisë për teknologji dhe inovacion.

Znj. Sahatqija, theksoi se Innovations Lab punon me adoleshentët dhe të rinjtë, 14 deri 24 vjeç, me theks në grupet e margjinalizuara. Ky angazhim kontribuon në rritjen e kapacitetit dhe mundësive në mesin e të rinjve më të margjinalizuar të Kosovës për të kërkuar dhe siguruar pjesëmarrje kuptimplote si në fuqinë punëtore ashtu edhe në formimin e politikave dhe proceset vendimmarrëse.

UNICEF Innovations Lab, ka punuar në afrimin e adoleshentëve dhe rinisë me teknologjinë dhe inovacionin që nga viti 2010, duke kërkuar dhe identifikuar metodat, teknologjitë dhe mjetet që premtojnë për të avancuar shërbimin për fëmijët dhe të rinjtë.

Investimi në kapacitetin njerëzor dhe veçanërisht në rininë, u theksua në takim, është investimi më i sigurt në të ardhmen e një vendi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)