28 Mars 2024

Google kërkon adresarin e Shqipërisë

Tiranë, 6 tetor - Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka gati të gjithë materialin e nevojshëm dhe po shqyrton mundësinë e kontaktimit me kompaninë Google, në mënyrë që të dhënat elektronike të adresave të qytetarëve shqiptarë, si dhe hartat vektoriale të mund të kalojnë edhe në këtë Web.

Nëse do të mund të realizohet marrëveshja me këtë kompani, qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm, do të mund të gjejnë në këtë faqe interneti adresën e tyre të banimit apo edhe atë të personave për të cilën ata janë të interesuar.

Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u shpreh ndër të tjera se “ekzistojnë të gjitha kushtet dhe jemi në prag të fillimit të bisedimeve me kompaninë e internetit Google, në mënyrë që të dhënat elektronike të adresave të qytetarëve, të mund të transportohen edhe në këtë faqe”.

 Sipas Ponit, mbi 230 njësi vendore, më të mëdhatë në vend, që mbulojnë rreth 3.5 milionë banorë, ose 85 për qind të saj, kanë përfunduar hartat territoriale, ku janë pasqyruar emërtimet publike për çdo rrugë, rrugicë, bulevard, shesh publik, ndërkohë që është i gatshëm dhe materiali për sistemet e identifikimit territorial me përjashtim të disa komunave, me më pak se 3000 banorë.

Në vazhdim të ecurisë së këtij procesi, zv/ministri Poni bëri të ditur gjithashtu se “për shkak edhe të teknologjisë së avancuar si dhe praktikave më të mira mbi të cilat është i bazuar ky sistem, është menduar që pas muajit shtator 2010, të fillojë popullimi i të gjitha ndërtesave”. Kjo, sipas tij, do të bëjë të mundur krijimin e një baze të qartë të dhënash në bashkitë e komunat në vend dhe në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshëm të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme.

“Nëse do të klikosh në një pikë të caktuar të territorit të Bashkisë së Tiranës apo asaj të Durrësit e me radhë, do të mund të dallosh se cilët janë personat që banojnë atje dhe anasjelltas. Në se do të kërkosh në Regjistrin Civil personin për të cilin je i interesuar, këto të dhëna do të dalin në një referencë gjeografike, në ekranin e adresave”, u shpreh numri dy i Ministrisë së Brendshme.

Nga ky sistem do të ndikohen të gjitha sistemet që kanë referencat me territorin, sikurse janë taksat, ambulanca, policia, etj, e kështu me radhë, duke bërë të mundur gjetjen në mënyrë elektronike të vendndodhjes së subjektit.

“Procesi i dixhitalizimit të adresave nuk mund të themi se ka përfunduar tërësisht, pasi tashmë jemi në fazën në terren, çka nënkupton se adresën tani e shikon në rrugë, ku në pjesën më të madhe të të cilave janë vendosur pllakatat me emrin përkatës, sipas të gjitha standardeve të parashikuara”, tha Poni.

Në sistemin e ri të adresave nuk ka dallim mes adresave të një territorit të legalizuar dhe atij të palegalizuar. Harta e përgjithshme e territorit të Shqipërisë është e ndarë në 5 grupe. Në grupin 1, 2, 3 bëjnë pjesë bashkitë dhe komunat me numër popullsie më të madh, ndërkohë që rreth 15 njësi vendore, që bëjnë pjesë në këto grup- ndarje, dhe që ende nuk e kanë përfunduar procesin e emërtimeve të rrugëve, pritet ta përfundojë atë brenda tetorit të këtij viti.

Sistemi Kombëtar i Adresave është konceptuar dhe bazuar në sistemin GIS, sistemi i Informacionit Gjeografik, i përshtatshëm për mbajtjen e informacionit në formë dixhitale në shtresa ku përfshihen ndërtesat, rrugët, lumenjtë, e të tjera, sipas rastit dhe nevojës.

Për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Adresave, Bashkimi Evropian ka akorduar 2.5 milionë euro për krijimin e Sistemit të Adresave dhe 1.5 milionë euro për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve, projekt që zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)