25 Qershor 2022

FSK pjesë e garës ndërkombëtare të Mbrojtjes Kibernetike

Prishtinë, 18 maj - Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, është mbajtur Gara Ndërkombëtare e Mbrojtjes Kibernetike 2022, në të cilën garë online kanë marrë pjesë ushtarakët e FSK-së, ushtarakët e  Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe  studentët nga universitetet e Iowa-s dhe universitetet e Kosovës.

Përmes një video-mesazhi, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i është drejtuar studentëve nga universitetet e Kosovës dhe Iowa-s dhe si dhe ushtarakëve të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Me këtë rast, ai është shprehur se kjo ngjarje është e veçantë, jo vetëm për rëndësinë e bashkëpunimit tashmë vëllazëror mes dy shteteve tona, por edhe për shkak të rëndësisë së fushës së mbrojtjes kibernetike.

“Mirënjohjet dhe përgëzimet e mia më të thella për ushtarakët e Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe atyre të FSK-së që mundësuan realizimin e këtij eventi të veçantë edhe në vendin tonë, pra Garën Ndërkombëtare të Mbrojtjes Kibernetike 2022”, tha ministri Mehaj.

Ai shtoi se një ndër synimet kryesore të tij,  me prioritet shumë të lartë, është zhvillimi dhe avancimi i aftësive dhe kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike të FSK-së dhe në përgjithësi institucioneve tona, si aset edhe i sigurisë sonë kombëtare.  

Ministri Mehaj tha se konteksti i ri gjeopolitik dhe kërcënimet, rreziqet dhe sfidat aktuale të mjedisit të sigurisë, pas agresionit rus në Ukrainë, kërkojnë angazhimin e të gjithëve në parandalimin, reagimin dhe sanimin e pasojave të mundshme globale të sulmeve kibernetike nga Rusia dhe atyre rajonale nga aleati i saj Serbia.

Prandaj, ai kërkoi angazhim dhe seriozitet maksimal që kjo ngjarje të shfrytëzohet fuqishëm për shkëmbimin e shkathtësive profesionale për krijimin e platformave efikase për mbrojtje të sigurt kibernetike, nga çdo e papritur nga ana e armikut.

Ndërsa, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, tha se kjo  ngjarje është rezultat i një pune të madhe të vazhdueshme të shumë njerëzve, kuadrove dhe profesionistëve të shumtë  të fushës.

Ai tha se ky është fillimi i një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm  dhe do të jetë një gurthemel i bashkëpunimit edhe në  të ardhmen.

Në fjalën e tij, Gjeneral brigade i FSK-së, Jeton Dreshaj, vlerësoi se nuk ka aktivitet më të rëndësishëm  për FSK-në se sa pjesëmarrja në ambientet e tilla akademike, ku bashkohen dija dhe ekspertiza, për tu aftësuar dhe për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike.

Ndërsa, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për shkak të vizitës ë tij zyrtare në SHBA, këtë ngjarje e përcolli nga vendi i ekipit garues të Gardës Kombëtare Iowa-s, përmes video-lidhjes direkte.  

Iowa dhe Kosova tashmë kanë hyrë në dekadën e dytë të partneritetit shtetëror, politik, ushtarak, ekonomik e kulturor.

Falë këtij bashkëpunimi, krahas plan programit  bilateral për ngritjen dhe avancimin e komponentës së sigurisë dhe Mbrojtjes kibernetike të FSK-së, tashmë po promovohet fuqishëm edhe bashkëpunimi akademik mes dy shteteve tona në nivel të universiteteve tona.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2022 - Pishina e vetme e kryeqytetit hapë sezonin veror 2022. (Pishina në hyrje të parkut Gërmia, ora 10:00)

- Komisioni i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës - Dega Gjilan, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)  

- Rrjeti i OJQ-ve AVONET dhe komuniteti i biznesit në Komunën e Vitisë organizon konferencë për media lidhur me mosbashkëpunimin e Qeverisë lokale, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka ndikuar në ngecje të projekteve, neglizhencë, e mosadresim të tyre. (Përballë Shtëpisë së Kulturës "Gursel e Bajram Sylejmani" në Viti, ora 12:30)