30 Mars 2020

Digjitalizimi shumë i rëndësishëm për sistemin arsimor

Prishtinë, 6 mars - Ministrja e  Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, mori pjesë në konferencën “Digjitalizimi i sistemit arsimor parauniversitar “, e cila është organizuar nga Kolegji RIINVEST, në bashkëpunim me Platformën “Kosova që duam”, Friderich Ebert Stiftung (FES) dhe KUSA (Kosovo Unated States Alumni).

Me këtë rast, ministrja Bajrami theksoi rëndësinë që kanë statistikat për bërjen e politikave, por tha se bazat e të dhënave që kanë institucionet tona shpesh nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën dhe kjo e vështirëson punën në vendimmarrje.

Ministrja përmendi dhe vlerësoi përkrahjen e donatorëve, të cilët përmes projekteve shumë të rëndësishme që kanë përfunduar ose janë në proces, kanë dhënë kontribut shumë të madh në sektorin e arsimit, por tha se përvojat e mira në shkollat që ata i kanë mbështetur, duhet të barten në gjithë sistemin arsimor.

Ministrja Bajrami tha se, krahas investimeve që do të bëhen në shkolla dhe në infrastrukturën e tyre, nuk do të lihet anash digjitalizimi, i cili sjellë shumë benefite në arsim në përgjithësi, por edhe për nxënësit, të cilët tashmë në masë njohin gjuhë të huaja dhe përdorin internetin.

Në këtë konferencë, u prezantuan dy projekte të përgatitura nga studentët e Kolegjit RIINVEST, të cilat janë pilotuar vitin e kaluar në shkollën “Ismail Qemali”, ndërsa sivjet po aplikohen praktikisht në të njëjtën shkollë.

Projekti i parë është “Regjistrimi i nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës”, ndërsa projekti i dytë është “Statistikat e suksesit të nxënësve për lëndë”.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 mars 2020

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me propozimin për mbështetjen e sektorit privat pas përhapjes së pandemisë COVID-19. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, Rahovecit, ora 10:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media me temë "AKB reagon ndaj Propozimit të Pakos së Qeverisë për mbështetjen e bizneseve". (Zyret e AKB-ës, ora 12:00)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe njëkohësisht koordinator i shtabit emergjent, Visar Shehu, dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës, Osman Hajdari mbajn konferencë për media lidhur me masat e ndërmarra nga Komuna e Prizrenit kundër pandemisë COVID-19. (Shtëpinë e Bardhë ora 14:00)

 

- Nataliya Apostolova, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë në prani të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia do të nënshkruajë sot një kontratë me vlerë 5 milionë euro për nevoja të menjëhershme të Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19. (Ceremonia e sotshme e nënshkrimit do të transmetohet drejtpërdrejt në Facebook përmes faqes së BE-së në Kosovë @EuropeanUnionInKosovo, ora 17:00)