19 Prill 2024

Blackberry kërcënim për shumë shtete

Oman, 13 shtator - Qeveritë e Indisë, Emirateve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite kanë kërcënuar se do të mbyllin shërbimet elektronike si emailet apo veprimet në internet që ofron pajisja Blackberry.

Autoritetet shqetësohen se Blackberry ofron një masë të tillë privacie që e bën të pamundur për forcat e rendit të deshifrojnë mesazhe nga elementë që përbëjnë kërcënim për shtetin. Shumë nga përdoruesit shqetësohen se kjo masë do të ndërpriste një numër elementësh të rutinës së përditshme:

Është një praktikë esenciale e çdokujt që udhëton për arsye pune – leximi i email-ave, por tani është në rrezik. Autoritetet indiane, saudite dhe ato të Emirateve e shohin me dyshim këtë teknologji, të cilën u desh kohë që edhe Shtetet e Bashkuara ta pranonin fillimisht.

Adam Leetch është analist në kompaninë Ovum, që jep konsulencë mbi ndikimin e teknologjisë dhe ndryshimet në tregun e programeve kompiuterike. Ai thotë se aryeja që qeveritë e këtyre vendeve po diskutojnë ndalimin e këtij shërbimi, është pasi nuk mund të interceptojnë sinjalet:

“Qeveritë duan të jenë në gjendje që nëse e shohin të nevojshme, të interceptojnë komunikimet nga një pikë në tjetrën. Por mënyra si është projektuar sistemi nuk e lejon qeverinë e një vendi të futet në server, pasi ky server mund të jetë në një vend tjetër si Kanadaja”.

Qeveri të ndryshme kanë filluar ta pranojnë teknologjinë që mundëson komunikimin elektronik, pasi është një mjet i rëndësishëm biznesi.

Kjo teknologji i zëvendëson shkronjat e një mesazhi me simbole të pakuptueshme për atë që kërkon ta interceptojë mesazhin, duke lejuar vetëm të adresuarin ta lexojë në rregull. Është një teknologji e ngjashme me atë që administron informacionin e kartës suaj të kreditit. Numri i kartës dhe informacioni i blerësit regjistrohen në kompiuter, por falë teknologjisë, janë në një formë të palexueshme për përdoruesit e pa-autorizuar të asaj faqeje.

Por kjo teknologji që është konsideruar si shumë e suksesshme për përdoruesit dhe biznesin, paraqet problem për autoritetet e rendit. Ata mund të interceptojnë mesazhe, por nuk mund t’i deshifrojnë. Pajisja Blackberry është veçuar nga autoritetet e huaja, pasi ofron pikërisht këtë mundësi komunikimi mes përdoruesve pa u lënë mundësi autoriteteve të deshifrojnë mesazhet: Adam Leetch thotë:

“Ajo që e veçon Blackberrin është se ofron të gjitha operacionet elektronike si email, internet dhe mesazhe. Të gjitha këto administrohen nga kompania RIM. Këto janë shërbime unike të RIM-it, prandaj edhe Blackberry është i veçantë. Por nëse i eliminon këto shërbime nga Blackberry, atëherë ajo pajisje bëhet si çdo telefon tjetër celular”.

Si do të ndikoheshin konkretisht përdoruesit nga kjo masë? Zoti Leetch shpjegon se do të kufizohej përdorimi i Blackberrit, por pajisja do të vazhdonte të kishte funksionet e celularit. Por ky fakt nuk i ngushëllon përdoruesit e Blackberrit që janë mësuar ta përdorin pajisjen për një numër funksionesh. Juan Kueta, përdorues spanjoll:

“Tani që po prisja në radhë, dërgova 7-8 emaile. Është një mjet esencial për mua. Dërgoj 150-200 emaile në ditë. Nuk punoj dot pa të”.

Përdoruesit presin fjalën e fundit nga autoritetet. India ka kërcënuar se do të bllokojë emailet e korporatave dhe mesazhet nëse kompania RIM nuk lejon autoritetet e rendit të lexojnë komunikimet brenda dates 31 gusht. Indonezia i ka kërkuar kompanisë RIM të vendosë një server brenda vendit, pasi shqetësohet se mesazhet mund të interceptohen gjatë përcjelljes përmes vendeve të tjera.

Emiratet e Bashkuara Arabe, një ndër pikat më të ngarkuara të ndalesës dhe tranzitit për udhëtarë ndërkombëtarë, i ka dhënë RIM-it afat deri në tetor për të respektuar ligjet e vendit, përndryshe autoritetet do të ndalin emailed, mesazhet dhe veprimet në internet. Vendet shprehin shqetësimin se veprimet që ofron kompania dhe Blackberry mund të shfrytëzohen nga terroristë dhe elementët kriminalë. Kompania RIM, nga ana e saj, nuk pranon të komentojë mbi bisedimet që po zhvillon me autoritetet e këtyre vendeve.

Gjithsesi, nuk bëhet fjalë për një gjendje të pashpresë. Nokia është ndër kompanitë që shesin celularë që ofrojnë dërgim emaili, veprime në internet dhe aktivitete të tjera, që nuk shqetësojnë autoritetet rregullatore në Indi apo Lindjen e Mesme. Po ashtu, IPhone kanë aftësi të ngjashme me Blackberry-in.

Por asnjë prej tyre nuk ofron atë privaci në komunikim siç ofron Blackberry përmes shndërrimit të mesazheve në tekste të padeshifrueshme. Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet që e kanë pranuar si një fakt të mirëqënë ekzistencën e Blackberrit, së bashku me karakterin sekret të komunikimeve që ofron kjo pajisje.

Sa për Indinë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Indonezinë, brenda pak muajsh do të mësojmë nëse përdoruesit në këto vende do ta mbajnë apo do ta ndërrojnë Blackberrin për një pajisje tjetër që autoritetet e konsiderojnë më të pranueshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)