17 Tetor 2018

76.6 për qind e qytetarëve përdorin internetin në Kosovë

Prishtinë, 1 tetor - Sot fillon Muaji i Botëror i Vetëdijesimit për Sigurinë Kibernetike dhe në kuadër të këtij muaji, Republika e Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraparë disa aktivitete në vazhdën e hapave për forcimin e Sigurisë Kibernetike në vend.

Ngritja sigurisë është e domosdoshme në gjitha institucionet publike, duke vlerësuar rëndësinë që ka siguria kibernetike dhe sipas nevojave janë hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.

Në Kosovë, përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është zgjeruar me shpejtësi prej vitit 2000, ndërsa tanimë TIK-u luan rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e jetës sonë.

Përdorimi i Internetit në Kosovë është 76.6%, shkallë kjo shumë e ngjashme me mesataren e Bashkimit Evropian (BE), derisa edhe sjelljet e qytetarëve të Kosovës në Internet duket të jenë të ngjashme me trendet globale.

Në kuadër të aktiviteteve të paraparë për shënimin e këtij muaji, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me ICITAP do të trajnojë mbi 200 zyrtarë të ministrisë dhe agjencive të saj, të cilët kanë qasje në domain-nin shtetëror për rëndësinë e Sigurisë Kibernetike.

Në kuadër të këtij muaji gjithashtu do të mbahen aktivitete dhe takime të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit për rëndësinë e Sigurisë Kibernetike.

Me inicim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, koncept-dokument që kontribuon në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik e paraparë në strategjinë shtetërore për sigurinë kibernetike dhe planin e veprimit 2016 – 2019.

Qeveria e Republikës së Kosovës përmes strategjive dhe planeve të veprimit të përcaktuara nga Këshilli Shtetëror i Sigurisë Kibernetike, vazhdimisht është duke kontribuar me seriozitet në ngritjen e sigurisë kibernetike dhe për të pasur një sistem të fortë që mbrohet nga sulme të ndryshme në mënyrë që qytetarët të ndjehen të lirë të kryejnë të gjitha veprimet e tyre virtuale.

Strategjia Shtetërore për Sigurinë Kibernetike adreson çështjen e sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës përmes këtyre objektivave strategjik si mbrojtja e infrastrukturës kritike të informacionit, zhvillimi institucional dhe ngritja e kapaciteteve, reagimi ndaj incidenteve dhe Bashkëpunimi ndërkombëtar.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP". (Rektorati i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet tryeza e kampanjës informuese “Kodi Civil ndikon në statusin ligjor të qytetarëve”, organizuar nga  projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. (Hotel Happy në Gjakovë, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilin do ta nderojë me medaljen e Gjergj Kastritot - Skenderbeu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Pesë profesorë  nga Budapesti do të vizitojnë  Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku edhe promovohet libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” botuar nga botanisti prof. dr. Zoltán Barina dhe mbahet një ligjëratë nga prof. dr. Antal Molnár. (Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore. (Kabineti i Ministrit Matoshi, kati 17, ish objekti “Rilindja”, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të shqyrtohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Automjete, për Efiçiencë të energjisë, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përuron objektin e Qendrës Rinore në Vushtrri. (Vushtrri, ora 11:00)

- Drejtori i Mbrojtjes dhe Shpetimit, Sami Spahiu nga Komuna e Gjilanit mban konferencë për media. (Zyra e krytarit të komunës, ora 11:00)

- Let’s Do It Kosova do të organizoj aksionin e pastrimit në Lipjan. (Oborri i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhjen e radhës në të cilën do të shqyrtoj vlerësimet e sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrat e Vetëvendosjes, ora 15:00)

-  Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, merr pjesë në takim me struktura drejtuese të Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë. (Restaurant Holiday në Vushtrri, ora 17:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e “Java e bizneseve nga diaspora”, e cila organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. (Hotel Emerald, ora 19:00)