24 Shtator 2018

Vitin e ardhshëm do ta ndërtohet kampi stërvitor në Obiliq

Prishtinë, 12 shtator - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot komunën e Obiliqit. Ministri fillimisht është pritur nga Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, i cili e ka shoqëruar për vizitë në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq dhe në stadiumin “Agron Rama”.

Gjatë kësaj vizite, në prononcimin për media, ministri Gashi fillimisht shprehu kënaqësinë për takimin në Komunën e Obiliqit. Ai tha se ky është takimi i takim i katërt në muajt e fundit me qëllim të koordinimit të aktiviteteve sa i përket investimeve.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është duke investuar në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, një projekt rreth 750 mijë euro dhe besoj që jemi te faza e fundit e këtij projekti. Sot jam edhe për ta vizituar kryetarin por edhe për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në atë objekt”, tha ministri Gashi.

Ministri Gashi po ashtu foli edhe rreth projektit të tri fushave ndihmëse, që është njëri prej projekteve kapitale që e financon UEFA.

 “Është një projekt i përbashkët trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Obiliqit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë Federata kurse financimin do ta bëjë  UEFA. Ministria dhe kryetari kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që në afat rekord të sigurojmë edhe hapësirën edhe parcelën dhe në të njëjtën kohë të mundësojmë këtë  investim që do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në Komunën e Obiliqit në infrastrukturën sportive dhe natyrisht ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës”, theksoi ministri Gashi.

Ai po ashtu falënderoi dhe përgëzoi kryetarin Gashi për përkushtimin e tij për ndarjen e hapësirave të lokacionit për ndërtimin e tri fushave ndihmëse.

Ministri Gashi, duke i uruar qytetarët e komunës së Obiliqit për objektin e Shtëpisë së Kulturës por edhe për tri fushat ndihmëse, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe për projektet tjera duke theksuar se “Ministria e Kulturës do të jetë e interesuar por në të njëjtën kohë e gatshme për realizimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve të komunës së Obiliqit, që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin”.

Ndërkaq, kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Gashi për vizitën e tij. Për projektin e objektit të Shtëpisë së Kulturës ai tha se “kemi filluar një projekt madhor dhe shumë të domosdoshme për qytetarët e Obiliqit”. Kryetari Gashi po ashtu foli edhe rreth stadiumit duke falënderuar ministrin për angazhimin e tij. Ai tha: “këto janë takime të rregullta ku ne konsultohemi bashkë për bashkëpunim”.

Gjatë vizitës në stadiumin “Agron Rama”, prezent ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai tha se “falënderimi i takon kryetarit të Komunës dhe asamblistëve të Obiliqit të cilët kanë vendos të japin këtë pronë në shërbim të kampit nacional të futbollit që do të bëhet në koordinim me UEFA-n dhe FIFA-n”. Kryetari Ademi po ashtu falënderoi edhe ministrin Gashi për angazhimin e tij në krijimin e kushteve për të investuar në infrastrukturën sportive në vend.

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)


- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)