28 Mars 2024

Sporti vazhdon të prodhojë miliarderë të rinj

New York, 27 dhjetor - Bota e sportit, e cila çdo ditë e më shumë industrializohet, vazhdon të prodhojë miliarderë të rinj.

Sipas një hulumtimi të përgatitur nga ana e revistës Forbes, e cila ka llogaritur pagat, të ardhurat nga sponsorët dhe bonuset e sportistëve nga qershori i vitit 2017 deri në qershor të vitit 2018, bokseri Floyd Mayweather ka qenë sportisti me fitimet më të mëdha këtë vit.

Mayweather ka hyrë në mesin e miliarderëve në botën e sportit pasi brenda një viti ka fituar 285 milionë dollarë, përfshirë 275 milionë nga ndeshja me irlandezin Conor McGregor dhe dhjetë milionë dollarë nga sponsorët.

Të ardhurat totale të bokserit të pamposhtur gjatë karreierës së tij arritën në 1.07 miliardë dollarë.

Pas Mayweather, si sportistë me më së shumti fitime në vitin 2018 janë radhitur dy yjet e futbollit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Argjentinasi Messi ka zënë vendin e dytë me 111 milionë dollarë fitime, edhe atë 84 milionë nga pagat dhe bonuset dhe 27 milionë nga marrëveshjet me sponsorët.

Ndërkaq, ylli portugez Ronaldo këtë vit është radhitur i treti në listë me 108 milionë dollarë të ardhura, 61 milionë nga pagat dhe bonuset dhe 47 milionë nga sponsorët. 

Tre futbollistë në vitin 2018 kanë arritur të radhiten në mesin dhjetë sportistëve me fitime më të mëdha.

Krahas Messit dhe Ronaldos, në dhjetëshen e parë është futur edhe futbollisti brazilian Neymar.

Neymar është radhitur i pesti me 90 milionë dollarë të ardhura, përfshirë 73 milionë nga pagat dhe bonuset dhe 17 milionë nga sponsorët.

Krahas tre futbollistëve, në dhjetëshen e parë gjenden edhe dy emra nga basketbolli dhe dy nga futbolli amerikan.

Lista e revistës Forbes ka tërhequr vëmendjen me 40 emra nga sporti i basketbollit në mesin e 100 të parëve, përfshirë basketbollistë nga liga amerikane NBA.

Emrat si LeBron James nga Angeles Lakers me 85,5 milionë dollarë të ardhura, Stephen Curry dhe Kevin Durant nga Golden State Warriors, me 76,9 milionë dollarë, gjegjësisht 57,3 milionë, Russell Westbrook nga Oklahoma City Thunder me 47,6 milionë dollarë dhe James Harden nga Houston Rockets me 46,4 milionë dollarë, janë radhitur në pozita të larta në listë.

Në listë gjenden 18 emra nga futbolli amerikan, 14 nga bejsbolli, nëntë nga futbolli, pesë nga golfi dhe sportet marciale, katër nga tenisi, tre nga sportet motorike dhe nga një nga atletika dhe kriketi.

– Miliarderët e botës së sportit

Pas Michael Jordan, Tiger Woods, Arnold Palmer, Jack Nicklaus dhe Michael Schumacher, Mayweather u bë sportisti i gjashtë me pasuri një ose më tepër miliardë dollarë.

Në listën e sportistëve miliarderë kryeson basketbollisti legjendar amerikan Jordan, i cili me 1,85 miliardë dollarë është sportisti me fitime më të mëdha i të gjitha kohërave. Në karrierën 15-vjeçare në NBA, gjatë të cilës ngriti gjashtë trofe të kampionit, Jordan ka fituar vetëm 93 milionë dollarë dhe pjesa tjetër e të ardhurave ka buruar tërësisht nga marrëveshjet afariste dhe me sponsorët.

Ndërkaq, golfisti amerikan Tiger Woods, i cili ka fituar 14 kampionate të mëdha në karrierë, radhitet i dyti me 1,7 miliardë dollarë.

Po ashtu, golfistët e tjerë amerikan, Arnold Palmer, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, dhe Jack Nicklaus, pasojnë me 1,4 dhe 1,2 miliardë dollarë.

Me 1 miliardë dollarë të ardhura, në mesin e sportistëve miliarderëve gjendet edhe ish-piloti gjerman i Formula 1, Michael Schumacher, shtatë herë kampion, i cili në vitin 2013 pësoi paralizë në pjesën më të madhe të trupit pas një aksidenti gjatë skijimit në Alpet Franceze.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)