06 Gusht 2020

Salla e sportit në Istog do të përfundojë në shtator

Istog, 15 korrik - Salla e Sportit në Istog, projekt i cili ka nisur në vitin 2007, do të përfundojë në shtator të këtij viti, e ministria ka investuar mbi 2,4 milion euro. Këtë gjë e paralajmëroi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë një vizite sot në Istog, kur për së afërmi përcolli investimet në të cilat po investon MKRS-ja në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi, e shoqëruar edhe nga zëvendësministri Engelbert Zefaj dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, fillimisht u prit nga kryetari i kësaj komune, Haki Rugova, me të cilin diskutuan për projektet që po investon ministria në Istog si dhe mbarëvajtjen e tyre. Gjithashtu, u bisedua edhe për nevojat dhe problemet tjera që ka Komuna e Istogut, në resorët që i mbulon MKRS-ja dhe që janë të interesit të përbashkët.  

“Interesi i Qeverisë dhe plani programor i saj është i lidhur me zhvillimin e komunave të Kosovës. Në kuadër të kësaj, fushat e kulturës, rinisë dhe sportit, të cilat mbulohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes investimeve të saj në komuna, janë konform këtij plani. Ndër marrëveshjet e para që kam nënshkruar si ministre me komunat, ka qenë me komunën e Istogut. Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”, tha mes tjerash ministrja.

Ministrja Dumoshi foli edhe për projektet për sektorin e rinisë dhe porositi drejtuesit e komunës së Istogut që të inkurajojnë të gjithë të rinjtë e Istogut që të aplikojnë në programet që ka MKRS-ja për rininë, qoftë në programet e trajnimit për ndërmarrësi, në programet startup, e të gjitha thirrjet tjera. Ministrja ribëri të ditur që nga fondi 5 milionë euro që veç është paralajmëruar për MKRS-në, një pjesë do të ndahet edhe për rininë.

“Si ministri do të angazhohemi në maksimum duke bashkëpunuar edhe me komunat që të parandalojmë emigrimin e të rinjve jashtë vendit duke krijuar kushtet që të rinjtë të zhvillohen dhe të avancohen në vendin tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi, edhe e cila u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë në thirrjet e ministrisë.

Ndërsa, kryetari Haki Rugova, e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë e treguar për ta mbështetur me investime Komunën e Istogut, në projekte të cilat janë të nevojshme dhe në dobi të qytetarëve të kësaj ane. Ai tha se me ministren Dumoshi dhe stafin e saj kanë diskutuar për përfundimin e sallës së sportit në Istog dhe shumë e shumë projekteve tjera që po investohen në këtë komunë. “Dua ta falënderoj ministren Dumoshi për kujdesin ndaj Istogun sepse me marrjen e detyrës si ministren vizitën e parë e ka pasur në komunën tonë”, kujtoi kryetari Rugova.

Ministrja Vlora Dumoshi inspektoi investimet të cilat po financon MKRS-ja në këtë komunë. Bëhet fjalë për projektet kapitale e Sallës së Qytetit në Istog, stadiumin “Demush Mavraj”, sallën e edukatës fizike në fshatin Vrellë, e që kalojnë vlerën financiare mbi një milionë euro vetëm për vitin 2020 si dhe “Memorialin Ibrahim Rugova”, objekt multifunksional i cili do të luajë edhe rolin e muzeut si një atraksion turistik i këtij qyteti.

Gjatë vizitës në sallën e sportit të qytetit ministrja Dumoshi tha se Istogu e meriton një sallë të këtillë sepse ka traditë, sidomos në sport dhe përmendi edhe basketbollistin e atletin e sportit Fikret Shatri. “Sportistët e Istogut do të kenë një hapësirë moderne ku do të mund t’i zhvillojnë aktivitetet sportive e garat”, tha ajo mes tjerash.

Ndër projektet që do të përkrahen në Istog do të jetë edhe finalizimi i “Memorialit Ibrahim Rugova” të cilin ministrja pati rastin të vizitojë. Ministrja tha se MKRS-ja në Istog është duke investuar dhe financuar edhe në fushën e trashëgimisë dhe vetëm në këtë vit janë duke u zhvilluar 8 projekte në gërmime e në restaurime.

“Memoriali Ibrahim Rugova është një hapësirë e mrekullueshme multifunksionale e cila do të jenë në funksion për aktivitete të ndryshme kulturore e artistike. Ashtu siç u zotova në zyrën e kryetarit, bashkërisht do ta bëjmë konceptin muzeal ku do të mund të ekspozohen eksponatet e ndryshme pasi që Istogu përpos që ka bukuri natyrore është i pasur edhe me arkeologji”, theksoi ministrja Dumoshi, duke kujtuar se memoriali do të përfundojë me vënin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, në qytetin e vendlindjes së tij.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Gusht 2020 - Mbahet mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Tek Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, ora 10:00)

- Ministri i Punëve të Brendshme Agim  Veliu, Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi dhe Ministri i Bujqësisë Besian Mustafa vizitojnë komunën e Istogut. (Zyra e Kryetarit të Istogut, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, ora 12:00)

- Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi mes drejtorëve të organizatave ETEA dhe The Library Project Kosovo dhe drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit te Prishtinës, Gjilanit dhe Obiliqit. (Hapësirat Qendrës për Edukim dhe Kulturë "Libart", objekti i bibliotekës "Hivzi Sulejmani" në lagjen "Dardania", ora 14:00)