20 Shkurt 2020

Përurohet stadiumi në Sadovinë të Vitisë

Viti, 29 mars - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka bërë sot përurimin e stadiumit të futbollit në fshatin Sadovinë të Jerlive të Vitisë bashkë me kryetarin e FFK-së, Agim Ademin dhe kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin.

Në përurimin e stadiumit, ministri Gashi tha se kjo është ditë e veçantë jo vetëm për sportin e këtij lokaliteti, jo vetëm për sportin e qytetit të Vitisë por edhe për sportin kosovar e në veçanti për futbollin i cili është në kulmin e sukseseve.

“Viti 2018 ka qenë prej viteve më të mira në sport, është vit i veçantë edhe për sporte kolektive sepse si futbolli ashtu edhe basketbolli, hendbolli e volejbolli kanë pasur suksese dhe tashmë janë pjesë e futbollit, basketbollit, hendbollit e volejbollit ndërkombëtar. Këto janë të arriturat tona të përbashkëta, të shtetit, të Federatës, të qytetarëve, të sportistëve dhe sportdashësve”, tha ai.

Ai po ashtu falënderoi për bashkëpunim kryetarin Haliti dhe veçanërisht kryetarin e Federatës së Futbollit Agim Ademin.

“Si rezultat i një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm, të mirë dhe të suksesshëm, ne jemi në fazën e ndërtimit të 12 stadiumeve të tilla në Republikën e Kosovës dhe të gjitha janë duke u bërë me një bashkëpunim mes Ministrisë së Sportit, FFK-së dhe të Komunave respektive ku po ndërtohen këto terrene”, u shpreh ministri Gashi.

Ministri përmendi edhe stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë duke njoftuar se në ditët në vijim do të nënshkruhet kontrata për renovimin e këtij stadiumi i cili po ashtu do të jetë stadium i kategorisë katër dhe kësisoj Kosova do të bëhet me dy stadiume ku do të mund të luhen ndeshje ndërkombëtare.

Gjithashtu, ministri Gashi dha edhe njoftimin tjetër të rëndësishëm për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar i cili siç njoftoi ministri do të ketë 30 mijë ulëse, duke thënë se gjatë muajve qershor-korrik do të vendoset gurëthemeli i këtij stadiumi.

Ndërkaq kryetari i FFK-së, Agim Ademi, fillimisht falënderoi ministri për punën e tij dhe tha: “Po të mos ishte ministri Gashi futbolli do të ishte shumë më mbrapa në aspektin e infrastrukturës sepse ky ministër dhe kjo Qeveri ka bërë të pamundurën që futbollit t’i krijoj bazën e tij”.

Në anën tjetër edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, falënderoi ministrin por edhe FFK-në për bashkëpunimin e tyre dhe po ashtu edhe klubin futbollistik “Vllaznia” për arritjet e tyre kulminante.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2020 - Behën homazhe në nderim te jetës dhe veprës së heroit, Selman Vojvoda. (Varri i heroit, në Llaushë të Skenderajt, ora 9:00)

- Administrata Tatimore e Kosovë do të mbaj seminar me tatimpaguesit e regjionit të  Prishtinës ku prezent do të jetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova do ta pres në takim ambasadorin bullgar në Kosovë. (Zyra e Kretarit Haziri, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit mban diskutimi publik lidhur me Draft Planin Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë dhe Planin Lokal për Veprim në Mjedis. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 11:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit te donacionit për qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog nga Ambasada e Bullgarisë. (Qerdhja “Gëzimi Ynë” në Istog, ora 11:30)

- Mbahet ceremonia e promvimit të librit" Obstetrika",  të Prof. dr. Shefqet Lulaj. (Bibloteka Kombëtare "Pjetër Bogdani", ora 12:00)

- Mbahet akademi përkujtimore për dëshmorin e Kosovës, Selman Vojvoda, në 30 vjetorin e rënies së tij. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të mbajë konferencë për media. (Objekti I Ministrisë, ora 13:00)

- Promovohet revista “Intro”, që është produkt i punës së studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë, në kuadër të lëndës "Menaxhim i medias". (Amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ora 14:00)

- Komuna e Mitrovicës mban debat publik lidhur me rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës të Mitrovicës, ora 14:00)

- Zhvillohet ndeshja basketbolliste mes Kosovës dhe Islandës. (Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ora 19:00)