24 Prill 2024

Përfundon pa fitues takimi i parë dhe i dytë i Botërorit

Johanesburg, 12 qershor - Afrika e Jugut dhe Meksika kanë grumbulluar nga një pikë në ndeshjen hapëse të Kampionatit të sivjetmë Botëror, duke barazuar me rezultat 1-1.

Me deklarimin e presidentit të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, në Johanesburg ka filluar Kampionati Botëror 2010, me takimin e parë të zhvilluar ndërmjet përfaqësueses nikoqire, Afrika e Jugut dhe Meksikës.

Afrika e Jugut e nisi ndeshjen me formacionin 4-2-3-1: Khune - Gaxa, Mokoena, Khumalo, Thwala - Letsholonyane, Dikgacoi, Pienaar, Modise, Tshabalala – Mphela. Ndërsa Meksika luajti me formacionin 4-3-3: Perez, Rodriguez, Salcido, Marquez, Osorio, Torrado, Franco, Vela, Aguilar, Juarez, Dos Santos.

Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Meksika që realizoi pas një aksioni të Giovannit dhe Velas, mirëpo goli u anulua gabimisht për pozicion jashtë loje (36’).

Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë (55’), skuadra nikoqire kaloi në avantazh me një gol të bukur të shënuar me këmbën e majtë nga Siphiwe Tshabalala.

Ylli i Barcelonës, Rafael Marquez, tregoi klasin e tij kur pas një krosimi të Guardados barazoi shifrat (79’).

Në minutat e fundit të takimit nuk pati gola, përkundër një rasti të shkëlqyer që pati Afrika e Jugut në fund të ndeshjes, ashtu që këto dy skuadra do të mbajnë dy vendet e para të Grupit A, së paku deri pas ndeshjes ndërmjet Uruguait dhe Francës, që zhvillohet të premten mbrëma në Cape Town.

Uruguai e Franca barazojnë

Edhe takimi i dytë i Grupit A, i zhvilluar ndërmjet Uruguait dhe Francës, ka përfunduar me rezultat të barabartë.

Franca dhe Uruguai zhvilluan një lojë tejet të baraspeshuar, me Francën që pati një iniciativë të shpërqendruar gjatë gjithë takimit, kurse Uruguai luajti një lojë shumë të mençur taktike me tipare defensive.

Franca rrezikoi e para në pjesën e parë, pas një harkimi të Franck Ribery, të cilin nuk e shfrytëzoi mirë Sidney Govou. Rastin më të mirë për Uruguain në pjesën e parë e pati Diego Forlan, që nuk shënoi nga distanca.

Në pjesën e dytë mbrojtja e Uruguait u tregua vërtet në nivel të detyrës, ndërsa Franca nuk bëri asgjë në këtë fraksion. Diego Forlan pati rastin më të mirë në ndeshje, kur nga thellësia e zonës nuk arriti të shënojë në portën e Hugo Lloris. Uruguai në minutën e 80-të mbeti me një lojtar më pak, kur Lodeiro ndërhyri ashpër në Bacary Sagnan, me ç’rast u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Barazimi është rezultat i drejtë për këtë sfidë, ndërsa Franca dhe Uruguai kanë dy ndeshjet tjera ndaj Meksikës dhe Afrikës së Jugut për të siguruar kualifikimin më tej.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)