11 Dhjetor 2018

MKRS përkrahë basketbollistët e Prishtinës

Prishtinë, 12 nëntor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e klubit basketbollistik Z-Mobile Prishtina , pas suksesit historik të arritur për kualifikimin në mesin e 16 ekipeve më të mira në FIBA Europe Cup. Bardhekaltërit nga Prishtina kanë zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer në Lituani, për të shënuar fitoren e tretë në kuadër të grupit E, triumf që u ka siguruar kryeqytetasve për herë të parë në histori të klubit, kalimin në fazën e dytë grupore në garë kryesore evropiane.

Ministri Gashi i ka uruar basketbollistët dhe drejtuesit e klubit për suksesin e arritur. Ai vlerësoi se me angazhim dhe vullnet mund të arrihet deri te suksesi. “Si ministër dhe si ministri do të jemi bashkë me ju do të ju mbështesim deri në maksimum tash, jemi në finalizim të ligjeve që do të stimulojnë edhe më tej përkrahjen e sportit. Ju inkurajoj që t’i shfrytëzoni këto përparësi ligjore”, porositi ministri Gashi.

 Ministri Gashi ka kërkuar nga basketbollistët dhe përfaqësuesit e klubit që në përfaqësimet ndërkombëtare të japin maksimumin dhe të prezantojnë Kosovën sa më me dinjitet. Ai u premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, basketbollistët dhe drejtuesit e klubit Z-Mobile Prishtina e falënderuan Ministrin Gashi për mikpritjen, urimin dhe gatishmërinë e treguar për ta mbështetur klubin e tyre. Ata premtuan se në garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë do të përfaqësojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, jo vetëm klubin dhe qytetin e tyre por edhe Kosovën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 dhjetor 2018 - Organi Shqyrtues i Prokurimit fillon me transmetim të drejtpërdrejtë “live stream” të sesioneve të tij, një hap ky në drejtim të një qasjeje më transparente nga ana e këtij institucioni. (Zyra e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ish-Banka e Lubjanës, kati i 5-të, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Komuna e Gjakoves hapin Librin e Zisë, në nderim të Presidentit George H.W. BUSH. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 10:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në Komunën e Rahovecit. (Rruga kryesore në fshatin Zaqisht të Rahovecit, ora 10:00)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, do të diskutojë me nxënësit e shkollave të mesme me temë "Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".  (Kafiteria Dit' e Nat', ora 10:00)

- Kompania vendore 'Produktet Natyrale të Kosovës' organizon ceremoninë e inaugurimit të linjës së re me teknologji të avancuar për përpunimin e farave të kungullit. (Fabrika 'Produktet Natyrale të Kosovës' në fshatin Loxhë në Pejë, ora 11:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës të mbajë konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. (Zyret te BSPK, së ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ngjarjen vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. (Libraria Dukagjini, ora 11:00)

- Mbahet tryeza në të cilën do të diskutohet për pakon ligjore kundër korrupsionit, si dhe për punën e institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 11:00)

- Asociacioni i Arkitektektëve të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit bën prezantimin e “Bienales së Arkitekturës 2018”, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit dhe arkitektët në nivel Kosove dhe ata regjional. (Gjilan, ora 13:00)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon konferencën për shtyp me temë “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve. (Resource Center Kosovo, në lagjen Pejton, në zyre të Forumit për Iniciativa Qytetare, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të organizoj tryezen e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë, për të cilën do të flasin nënkryetarët Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. (Zyrat e PSD-së, në lagjen "Arbëria", ora 14:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prag të përfundimit të vitit 2018, organizon ngjarjen vjetore për shënimin e të arriturave në vetëqeverisjen lokale në Kosovë si dhe të prezantojë orientimet për vitin e ardhshëm. (Sheshi 21, ora 18:00)