20 Gusht 2019

MKRS investon 2,6 milion euro në komunën e Gjilanit

Prishtinë, 25 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin.

Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe komunës së Gjilanit si dhe u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi në fushën e sportit, Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilanit dhe projekti për palestrën sportive në Zhegër të Gjilanit.

Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilanit është projekt në të cilin MKRS-ja do të investojë mjete financiare në vlerë prej 1 milion e 950 mijë euro. Ky projekt do të implementohet gjatë viteve 2019 deri më 2021.

Ndërkaq, për projektin Palestra sportive në Zhegër të Gjilanit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë rreth 650 mijë euro dhe projekti pritet të realizohet gjatë dy viteve 2019 e 2020.

Ministri Gashi vlerësoi se investimet që MKRS-ja përkrah financiarisht në kuadër të avancimit të infrastrukturës fizike po bëhen nëpër tërë Kosovën. Ministri tha se me nënshkrimin e këtyre memorandume për komunën e Gjilanit, kjo e fundit do të ketë dy objekte të rëndësishme sportive.

“MKRS-ja dhe unë si ministër jemi të fokusuar që në kuadër të prioriteteve të kemi përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës dhe po punojmë me përkushtim që kjo gjë të arrihet”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen për komunën që ai udhëheq, si edhe për projektet që u nënshkruan. Ai e konsideroi se projektet në fjalë janë të mirëseardhura për të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit, e në veçanti ata që merren me sport dhe sportdashësit e kësaj komune.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)