22 Tetor 2020

Ministrja Dumoshi nderohet nga Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës

Prishtinë, 13 tetor  - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Bjeshkatarëve Alpiniste të Kosovës. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Federatës, Arben Lila, nënkryetarja dhe njëkohësisht shqipëruesja e librit, Teuta Bicaj, si dhe alpinisti dhe shqipëruesi i librit Abdurahim Abdushi.

Gjatë këtij takimi ministres Dumoshi iu dhurua libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, i shqipëruar nga prof. Teuta Bicaj dhe Abdurahim Abdushi, si shenjë mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që i jep sportit. Libri në fjalë është vepër e krijuar nga Federata Ndërkombëtare e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA) në bashkëpunim me Fondacionin “Petzl”. Ky libër është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” është një libër mësimi, i cili i dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar, duke përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja. Libri është hartuar si një dokument referimi për bjeshkatarë dhe alpinistë, e posaçërisht për udhëheqës në bjeshkë dhe instruktorë të federatave dhe klubeve anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA), anëtare e së cilës, me të drejta të plota, që nga viti 2011, është edhe Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK).

Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se “për mua është kënaqësi të pranoj nga ju një libër kaq të veçantë, i cili qenka më shumë se libër, pasi që tregon saktësisht , në mënyrë të ilustruar bukuritë e vendit tonë. Unë ju uroj për botimin e këtij libri dhe ju premtoj mbështetje edhe në të ardhmen, pasi që si Ministri e Sportit kemi synim dhe prioritet që të avancojmë sportin e vendit tonë”.

Ndërkaq, kryetari  i Federatës Bjeshkatare e Alpiniste të Kosovës, Arben Lila, falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe mbështetjen dhe tha se ky libër është mjaft voluminoz me përmbajtje të gjerë, i cili iu dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviziton ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit; Blerim Kuçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Në kuadër të përmbylljes së “Javës  Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i MPMS-së, Skender Reçica viziton fabrikën “NewCo Ferronikeli”. (Drenas, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e “Memorialit të Komandant Drinit - Ekrem Rexha. (Tek parku përballë Shtëpisë së Bardhë, ora 11:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Zëvendës kryesuesin e Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Naser Osmani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian takohet me Shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog në lidhje me Raportin për Kosovën 2020 të publikuar nga Komisioni Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 12:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pritet me një ceremoni zyrtare kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. (Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ora 14:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev mbajnë konferencë për media. (Konferenca do të përcillet online, ora 15:05)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon bisedën “Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”. (Kino Armata, ora 15:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. (Ndërtesa e Presidencës në Shkup, ora 15:35)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. (Kabineti i Kryetarit të Kuvendit në Shkup, ora 16:10)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Artan Grubi, Zëvendës Kryeministër i parë i shoqëruar edhe Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. (Ndërtesa e Kuvendit në Shkup, ora 16:35)

- Nënshkruhet MoU për krijimin e rrjeteve të pastra 5G në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të SHBA-ve. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:15)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Udhëheqësit e partive politike si Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami nga Lëvizja Besa,  Afrim Gashi nga Alternativa dhe Menduh Thaqi nga PDSH. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:40)