21 Gusht 2019

Matthijs de Ligt trasferohet te Juventus për 70 milionë euro

Torino, 13 korrik - Sipas të përditshmes më të madhe holandeze “De Telegraaf”, Juventusi dhe Ajaxi kanë arritur më në fund marrëveshjen për mbrojtësin 19-vjeçar, Matthijs de Ligt.

de Ligt nuk u përfshi fare në kontigjentin e futbollistëve që u grumbulluan për të nisur fazën përgatitore me Ajaxin e Amsterdamit, pikërisht klubin ku mbrojtësi nga Leiderdorpi filloi karrierën e tij si profesionist, duke mbajtur veshur për tre sezone fanellën e “harkëtarëve”.

Për hir të së vërtetës zërat për një mbyllje të marrëveshjes ndërmjet dy klubeve në fillimin e javës së ardhshme, të hënën ose ditën e martë, ishin shtuar ndjeshëm, sepse në fakt akordi ndërmjet de Ligtit dhe “zonjës së Vjetër” ishte arritur prej kohësh, por tani gjithçka mund të quhet e mbyllur, pasi bëhet e ditur edhe shuma e transferimit, plot 70 milionë euro.

Marrëveshja me klubin e Ajaxit arriti në fazën përmbyllëse, pas një beteje të gjatë që zgjati me muaj me Barcelonën, megjithatë pas parakalimit të klubit katalan gjërat u komplikuan disi në aspektin financiar, megjithëse diferenca ndërmjet kërkesës dhe ofertës nuk ishte shumë e madhe.

Klubi nga Amsterdami pretendonte 75 milionë euro, ndërsa Juventusi gjatë javës u ngjit deri në 67. Kështu, pas mesfushorit francez Adrien Rabiot, bardhezinjtë afrojnë në gjirin e skuadrës gjithashtu edhe holandezin de Ligt, duke kopsitur përfundimisht edhe repartin difensiv, repart që tradhtoi ambiciet e “zonjës së Vjetër” edhe në Champions League, për shkak të mungesës së kapitenit Giorgio Chiellini, ku si për ironi të fatit golin e eliminimit në fazën çerekfinale, për më tepër brenda në “Allianz Stadium” e shënoi pikërisht qendërmbrojtësi i Ajaxit Matthijs de Ligt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 gusht 2019 - Vazhdon greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”. (Aeroporti i Prishtinës, ora 8:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale Fejzë Kabashi do të vizitojnë disa shtëpi të cilat po ndërtohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore”. (Lagjja “Bajram Curri” e më pas do të vizitohen edhe disa shtëpi në fshatin Zhur. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:45)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet punëtoria kreative dhe instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit për rregullimin e objektit Mulitifunksional Inovativ në Shtime. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme kati i 3-të, ora 10:00)

- Mbahet mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala miraton draft raportin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pret në vizitë  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi. (Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit, ora 11:00)

- Fillojnë punimet në rrugën Budisalc-Zllakuqan i Klinës. (Pranë përmendores së Kolë Mirditës në Zllakuqan, ora 11:00)

- Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari. (Salla e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, ora 11:30)

-  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Muhedin Nushi do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi vëjn gurethemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. (Gllogjan, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi inspektojn punimet në objektin përcjellës të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Isniq. (Isniq, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.49. në të cilën janë 132 asete. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 60 studentësh të programit Akademia Verore, nga shtete të ndryshme të botës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:30)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet zona e debatit për shtëpin tradicionale dhe familjen e madhe shqiptare. (Shtëpia e vjetër në Fshatin Kukaj, ora 17:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e e rajonit të Zhupës dhe Podgorës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Reçanë, ora 19:00)