19 Shtator 2019

Kosova po rikthehet në futboll siç i ka hije

Prishtinë, 20 dhjetor - “Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, me rastin e shpalljes së laureatëve për vitin 2018.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, ambasadorë, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, përfaqësues të sportit dhe personalitete të tjera, kryeministri Haradinaj tha se, sot është një ditë që të falënderojmë brezat të sportit dhe veçanërisht të futbollit, që mbajtën gjallë atë nëpër të gjitha etapat e jetës.

“Siç i themi faleminderit Fadil Vokrrit, ndoshta një falënderim i posaçëm i shkon atij brezi, që mbajtën gjallë futbollin edhe pas viteve të ’90-ta”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është me rëndësi që futbolli po rikthehet dhe ky vit e ka dëshmuar që Kosova po rikthehet në futboll, siç i ka hije.

Më tutje, kryeministri Haradinaj, duke uruar që vitin që vjen futbolli të ketë edhe më shumë suksese, tha se Qeveria e Kosovës ka qenë e motivuar, e vendosur që të përkrahë sportin, si në rritjen e buxhetit për atë dhe investimet që po ndodhin në të gjitha stadiumet në Kosovë.

“Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve, ndërsa për ne është shumë i rëndësishëm ky dimension i sportit, e veçanërisht ai i futbollit, që na ndihmon për kthimin në arenën ndërkombëtare, prezencën ndërkombëtare, që Kosova e ka shumë me rëndësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Me nga një fjalë rasti përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili shprehu dhimbje, por edhe krenari për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Me këtë rast u ndanë edhe çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2018. Shpallja e laureatëve për vitin 2018, është ngjarja më e madhe që e organizon Federata e Futbollit të Kosovës, ku shpërblehen dhe nderohen ata të cilët kanë dhënë kontribut në mënyra të ndryshme për futbollin.

 



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shtator 2019 - Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren të zhvillon punimet një punëtori nga Garda Kombëtare e Iowa në SHBA dhe Forcës të Sigurisë së Kosovës. (Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, ora 8:00)

- Mbahet mbledhja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Mamushës  ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Abdülhadi Krasniç , për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 10:15)

- Fillon skema e re e projektit per fuqizimin e angazhimit të ndërtimit të pronësisë i financuar nga BE që synon të mbështesë punën e OJQ-së për një Kosovë të gjelbër. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, Balkan Green Foundation dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë eventin që thekson të arriturat dhe ndikimin në komunitet nga projekti “Empower - Engage Build Ownership” i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. (Amfiteatri i Sheshit Zahir Pajaziti, ora 10:30)

- Në faqen e KDI-së në Facebook, mbahet bashkëbisedimi LIVE për dialogun Kosovë-Serbi, me kandidaten për kryeministre znj.Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (KDI, ora 12:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e katërt në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatin për Kryeministër nga Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokratike. Ramush Haradinaj. (Lëvizjes FOL, ora 13:00)

- Mbahen ndeshjet e ligës së femrave dhe ligës së juniorëve në pingpong. (Ferizaj, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me qytetarë të Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 18:00)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani, takohet me strukturat dhe qytetarët e Ferizajt. (Restaurant “Fitorja”. ora 18:00)

- Bëhet hapja e ekspozitës personale të piktorit Vehbi Murati, e titulluar “Një ditë e zakonshme shtatori”. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00) 

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me banorë te Malishevës së Gjilanit. (Fshati Malishevë, ora 20:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me banorë te Pozhoranit. Pozhoran, ora 21:00)