19 Shtator 2019

Kosova bëhet edhe me një federatë, atë të Badmintonit

Prishtinë, 26 mars - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim Jeton Nebiun, kryetari i federatës më të re që u themelua në Kosovë, Federatës së Badmintonit.

Me këtë rast, kjo federatë u pajis me licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe njëherësh mes Federatës dhe MKRS-së u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi për përkrahje financiare.

Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata e Badmintonit të Kosovës, mbështetet financiarisht me 35 mijë euro. Mjetet financiare të pranuara, Federata do t’i shfrytëzojë për realizimin e politikave programore për vitin 2019 për promovimin dhe avancimin e sportit të badmintonit.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se puna e tij për avancimin e sportit dhe krijimin e federatave të reja të nevojshme për të rinjtë e vendit nuk do të ndalet me kaq.

“Licencimi i Federatës së Badmintonit tregon edhe një herë përkushtimin tonë për sportin në vend dhe theksoj se është obligim i yni që t’i përkrahim financiarisht federatat dhe sportistët në vend. Nënshkrimi i këtij memorandumi vjen pas licencimit të kësaj federate të cilës i urojmë suksese dhe të cilën e garantojmë se do të jemi gjithmonë në mbështetje për avancimin e këtij sporti të ri në vendin tonë”, tha ministri Gashi.

Ndërkaq, kryetari Jeton Nebiu, fillimisht falënderoi ministrin Gashi për licencimin e Federatës dhe po ashtu edhe për nënshkrimin e memorandumit duke e cilësuar si shumë të nevojshme përkrahjen financiare nga ana e Ministrisë. Ai po ashtu tha se kjo federatë do të punoj në vazhdimësi në promovimin e këtij sporti të ri dhe angazhimin e sa më shumë talenteve të rinj në këtë sport.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shtator 2019 - Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren të zhvillon punimet një punëtori nga Garda Kombëtare e Iowa në SHBA dhe Forcës të Sigurisë së Kosovës. (Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, ora 8:00)

- Mbahet mbledhja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Mamushës  ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Abdülhadi Krasniç , për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 10:15)

- Fillon skema e re e projektit per fuqizimin e angazhimit të ndërtimit të pronësisë i financuar nga BE që synon të mbështesë punën e OJQ-së për një Kosovë të gjelbër. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, Balkan Green Foundation dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë eventin që thekson të arriturat dhe ndikimin në komunitet nga projekti “Empower - Engage Build Ownership” i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. (Amfiteatri i Sheshit Zahir Pajaziti, ora 10:30)

- Në faqen e KDI-së në Facebook, mbahet bashkëbisedimi LIVE për dialogun Kosovë-Serbi, me kandidaten për kryeministre znj.Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (KDI, ora 12:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e katërt në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatin për Kryeministër nga Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokratike. Ramush Haradinaj. (Lëvizjes FOL, ora 13:00)

- Mbahen ndeshjet e ligës së femrave dhe ligës së juniorëve në pingpong. (Ferizaj, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me qytetarë të Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 18:00)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani, takohet me strukturat dhe qytetarët e Ferizajt. (Restaurant “Fitorja”. ora 18:00)

- Bëhet hapja e ekspozitës personale të piktorit Vehbi Murati, e titulluar “Një ditë e zakonshme shtatori”. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00) 

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me banorë te Malishevës së Gjilanit. (Fshati Malishevë, ora 20:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me banorë te Pozhoranit. Pozhoran, ora 21:00)