13 Dhjetor 2019

Hapet edicioni i 17-të i Javës së Bibliotekës

Prishtinë, 10 prill - Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka nisur sot edicionin e 17-të të Javës së Bibliotekës me temën “Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili njoftoi se këtë edicion të Javës së Bibliotekës, programet e të cilit po zhvillohen në shumë komuna të Kosovës, MKRS-ja po i përkrah financiarisht.

Ai po ashtu tha se ndihet i nderuar me pjesëmarrjen e tij në hapjen e edicionit të 17-të për të diskutuar rreth mundësive të përkrahjes së këtij institucioni të rëndësishëm të grumbullimit, të ruajtjes dhe të përpunimit të trashëgimisë së shkruar e jo të shkruar.

“Duhet folur zëshëm dhe ne po punojmë e po veprojmë në këtë drejtim, që derisa revolucioni i informacionit i ka vënë në presion të madh bibliotekat tona, t’i ndihmojmë ato për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme, që të gjejnë rrugën e tyre të duhur në këtë ndarje dramatike teknologjike, që të mund të ushtrojnë ndikimin e tyre jo vetëm në fushën e dijes për informacionin, por të kenë fuqinë e ndikimin arsimor, kulturor e social”, u shpreh ai.

Ministri Gashi po ashtu tha se këtë vit flitet për hapa konkretë që janë ndërmarrë për krijimin e një programi që do të rrisë edhe më shumë kapacitetin e bibliotekave në Kosovë, duke përmendur këtu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës e të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë është e përkushtuar në mbështetjen e grumbullimit të historisë gojore, përkatësisht në finalizimin e fazës së dytë të projektit “Kujtesa e Kosovës - Rrëfime nga 100 pleq e plaka” që ka grumbulluar 100 intervista të të moshuarve mbi 80 vjeç për të pasuruar historinë e shkruar të Kosovës të shekullit të fundit."

"Gjithashtu, vazhdojmë të përkrahim edhe një ndër projektet më madhore të Bibliotekës Kombëtare: hartimin e bibliografisë së librit shqip të Kosovës, që të krijohet kontrolli i plotë bibliografik i librit në gjuhën shqipe për periudhën që është fushëveprim i projektit të bibliografisë”, tha ai.

Ministri Gashi në fund bëri thirrje që të gjithë të bëhen pjesë e veprimtarive që zhvillohen në kuadër të Javës së Bibliotekës në të gjithë Kosovën, për t’u informuar mbi bibliotekën dhe për të qenë më afër punës, angazhimit, sfidave dhe gjithë asaj që kanë për të ofruar bibliotekat.

Ndërkaq, drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku tha se Biblioteka Kombëtare pas shumë vështirësive po bën hapjen e bibliotekës digjitale.

"Kjo bibliotekë do shërbejë për ruajtjen e trashëgimisë së shkruar të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, theksoi ai.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 dhjetor 2019 - Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizojnë hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2019” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU? (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror organizon konferencë nacionale për të diskutuar për situatën e strehimit familjar në Kosovë, për të arriturat, sfidat dhe planet e ardhshme për të zhvilluar me tutje këtë shërbim për fëmijët pa përkujdesje prindërore. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale organizon takim vjetor informues për përfaqësuesit dhe personat përgjegjës të ndërmarrjeve që merren me shfrytëzimin dhe përpunimin e lëndëve minerare, përpiluesit e plan-programeve të hulumtimit, përpiluesit e projekteve gjeologjike dhe të shfrytëzimit. (Salla e madhe në ndërtesën e Ministrisë së Administratës Publike, ora 10:00)

- Instituti Columbus organizon tryezë diskutimi me temë "Efekti i korrupsionit tek qytetarët: Diskutimi i fondit për trjatimin e pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizon konferencë informuese për zhvillimin e sektorit privat ku do të behet edhe ndarja e mirënjohjeve për “Ndërmarrjet me të suksesshme të vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Demokraci Plus në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer organizon konferencën lidhur me Procesin e Berlinit dhe obligimet për Sundim të Ligjit dhe Mirëqeverisjen. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj zhvillon vizitë pune në Ministrinë e Mbrojtjes, për të shënuar  një vjetorin e miratimit të tri Ligjeve, Ligjin për Forcën e Sigurisë, Ligjin për Shërbimin në FSK dhe Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:00)

- Komuna e Istogut organizon diskutim publik me qytetar për projekt rregulloren komunale për taksa, ngarekesa dhe gjoba. (Ndërtesa e Komunës së Istogut, ora 11:00)

- Ekipi i Kombëve të Bashkuara në Kosovë së bashku me Klubin Ndërkombëtarë të Prishtinës  organizon panairin e festave të fundvitit. (Ndërtesa e Termokiss në Dardani, ora 12:00)

- Nxënësit finalistë nga e gjithë Kosova të klasave 3-12 do të konkurrojnë në garën e katërtë vjetore Po-e-Zë. (Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ora 12:00)

 - Muzeu Kombëtar i Kosovës organizon hapjen e ekspozitës me fotografi 'Bukuria e betonit' nga autori Etienne Rémond. (Muzeu Kombëtar, ora 12:00)

- Kryeministri në detyrë Haradinaj, në përvjetorin e rënies së dëshmorit dhe heroit Mujë Krasniqi, bën homazhe dhe vendos kurora lulesh te shtatorja e heroit. (Klinë, ora 13:00​)

- Hapet panairi “Punimet artizanale përtej kufijve” i organizuar për nder të festave të fundvitit, në kuadër të projektit ndërkufitar Kosovë - Maqedoni Veriore, “Ndërtimi i konkurrencës përmes bashkëpunimit dhe inovacionit: Qasja në tregjet e eksportit për produktet artizanale’’. (Restorant ‘’Planet’’ në Gjilan, ora 14:00)

- Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave organizon tryezë diskutimi me temë: “Ligjërisht (t’pa) diplomuar?” e cilan mbahet me qëllim të diskutimit rreth problemit të verifikimit të diplomave të studentëve të cilët kanë ndjekur studimet pranë Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Projekti Climate 4 Change, i cili mbështetet nga Ambasada Norvegjeze dhe nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile organizon një debat politik - publik në të cilën do të diskutotohet për klimën. (Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ora 17:00)

- Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, organizon një pritje e cila si qëllim ka promovimin e djathit të Sharrit. (Rezidenca e Francës në Arbëri, ora 17:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon shfaqjen e dokumentarit “Java Kundër Korrupsionit 2018”.  (Modelarium i Fakultetit te Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, ora 18:00)