16 Dhjetor 2018

Caktohen vlerat financiare për sportet kolektive dhe individuale

Prishtinë, 13 mars - Në vazhdën e konkretizimit të legjislacionit për sportin dhe financimin e federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot dy vendime.
 
Me njërin vendim caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportet Kolektive dhe Individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D.
 
Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3250 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 1650 euro.

Për grupin B vlera e pikës është 1500 euro, për grupin C vlera e pikës është 1100 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro.
 
Ndërkaq, me vendimin tjetër caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët. Për sportistët vlera e pikës është në shumë e 120 euro po aq sa është edhe prej trajnerët.
 
Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i obliguar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë.
 
Ministri Gashi u shpreh se vendimet që ka nënshkruar për caktimin e vlerave financiare mund të konsiderohen si një lloj formule se si do të përkrahen federatat e sportit në vendin tonë.
 
“Me vendimet e nënshkruara është vënë baza se si dhe sa do të financohen nga shteti federatat e sportit në Republikën e Kosovës. Konsideroj se kategorizimi dhe përcaktimi i vlerës financiare për poentimin e një pike, do të jenë motivim që federatat të punojnë edhe më shumë në zhvillimin e garave, të fokusohen në rritjen e cilësisë dhe në masivizim”, ka thënë ndër të tjera ministri.
 
“Mandati dhe përgjegjësia që kemi marrë përsipër për ta udhëhequr Ministrinë e Sportit, me konkretizimin e çështjes së sponsorizimit dhe kategorizimit të sportit dhe sportistëve e trajnerëve, besoj që është një fillim i mbarë, sepse është vlerësuar se do të krijohet efikasitet më i madh në menaxhimin e sportit në vendin tonë”, tha ministri Gashi, duke potencuar se vendimet e nënshkruara janë edhe një lloj mirënjohjeje për ata që punojnë e angazhohen në arritjen e rezultateve në sport dhe duke përfaqësuar dhe promovuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 dhjetor 2018 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtimi i raportit me rekomandime për Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë mbanë konferecën e cila ka për qëllim lansimin e të gjeturave të Barometrit Kosovar të Sigurisë - Edicioni Special mbi Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

-  Mbahet takimi i Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve, ku temë diskutimi do te jetë; Problemet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ngritja e çmimit të peronizimeve. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qendra Tregtare " Viva Fresh Store “- Ferizaj organizon hapjen e Ekspozimit dhe Promovimit të Prodhimeve Vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU? (Objekti i Qendrës Tregtare dhe Viva Fresh Store në Ferizaj afër policisë, ora 12:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media takohet me bordin e Radio Televizionit te Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komuna e Suharekës nënshkruan memorandum me Fondacionin "Valon Vataj" për renovimin e Çerdhes së Qytetit. (Zyra e Kryetarit Bali Muharremaj, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në të cilën do të shqyrtimi i draft Strategjisë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe marrëdhëniet ndërparlamentare dhe shqyrtimi i draft Raportit nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Diasporën dhe Mërgatën. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Kosovo 2.0 organizon bisedë për zhvillimin e kampanjave të suksesshme të avokimit për të drejtat e njeriut me drejtorin e Fushatave për Evropë në Amnesty International, Fotis Filippou. (Hapësira e K2.0, mbrapa Furra Qerimi 1, ora 18:00)