04 Qershor 2020

“Vrojtuesit e lagjeve” - një përvojë e re për rritjen e sigurisë publike

Gjilan, 14 shkurt - Gjilani është njëra nga komunat e Kosovës, ku të premten ka filluar realizimi i programit “Vrojtuesit e lagjes”, si mbështetje për Strategjinë dhe planin e veprimit të policisë në bashkësi, përmes vendosjes së shenjave identifikuese në lagje, të cilat, siç ka thënë Shqipe Kastrati, koordinatore e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi (EVSB), do të jenë ndihmesë për qytetarët që problemet t`i raportojnë në institucionet kompetente.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se të gjithë ne jemi jashtëzakonisht të interesuar për t`i ndarë përvojat e mira që vijnë në veçanti përmes programit të ICITAP-it, në rolin dhe përgjegjësinë që mund ta kemi brenda komunitetit tonë, brenda lagjes, apo edhe në institucione.

“Vrojtuesit e lagjes”, është praktikë që ne ndoshta më pak e njohim, por përvoja e sotme ka me tregua që në të ardhmen, përveç këshillave lokalë, mund të aplikojmë edhe forma tjera të ndryshme, që e rrisin sigurinë publike, interesin publik, pjesëmarrjen publike e sidomos preventivën në rastet e veçanta, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri falënderoi komandantin e stacionit policor në Gjilan, majorin Alban Ramushi, i cili merr pjesë në çdo mekanizëm të sigurisë, policinë në komunitet, këshillat lokalë dhe policinë në përgjithësi, e cila përkundër kapaciteteve të reduktuara që ka, në çdo rast ajo është e para që iu përgjigjet problemeve. 

Për më tepër, Haziri ka thënë se Gjilani e ka një përvojë në vrojtim që nga periudha e viteve të `90-ta, kur komuniteti ishte vetorganizuar për të përcjellë lëvizjet e forcave serbe.     

Alban Ramushi, komandat i Stacionit Policor në Gjilan, tha se shpreson që ky program, përmes vendosjes së tabelave “Vrojtuesit e lagjes” do ta ndihmojë shumë policinë që të pajiset me informata nga terreni, sepse është e pamundur që policia të jetë në çdo cep, në çdo lagje, në çdo fshat.

Përndryshe, Eldin Buzgoviq nga ICITAP-i e ka zbërthyer më hollësisht programin, duke thënë se qëllimi i “Vrojtuesit e lagjes” është ngritja e sigurisë në bashkësi, përmes bashkëpunimit me qytetarët në raportin e rasteve.

Me diskutime e komente, kanë kontribuar edhe Muhamet Hyseni (Mekanizmi Referues), Fiton Kastrati (FSK), Halit Rexhepi (KKSB) dhe të tjerë.               


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020

- Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)
   
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
   
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)