11 Nëntor 2019

Vazhdohet afati për legalizimin e armëve edhe për tre muaj

Prishtinë, 25 qershor - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferenca për media për vazhdimin e afatit për  legalizim të armëve. Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës për vazhdimin e fazës së dytë të kampanjës për legalizimin e armëve do të zgjasë deri më 17 shtator 2019.

Koordinatori Nacional  i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, njëherit zëvendësministër i MPB-së,  z. Izmi Zeka  tha  se qëllimi i këtij vendimi është që bashkërisht të inkurajojmë të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që gjenden për pushime në Republikën e Kosovës për të shfrytëzuar mundësinë për legalizimin e armëve.

Zëvendësministri Zeka vuri në dukje se Kosova ka bërë progres në kontrollin e armëve, mirëpo ende mbetet sfidë kontrollimi i armëve. Ai tha se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta paraqet një kërcënim për qytetarët dhe jetën e tyre.

“Republika e Kosovës është në rrugën e saj drejt procesit të integrimit evropian dhe ne kemi nevojë që bashkërisht të jemi më aktiv në fushën e zvogëlimit të armëve të pa ligjshme në vendin tonë, t’i legalizojmë ato dhe të krijojmë një siguri cilësore për qytetarët tanë”-tha z. Zeka.

U.D. e Përfaqësueses së Përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko theksoi se posedimi i armëve të vogla në rajon dhe botë po e vë në rrezik sigurinë publike, zhvillimin ekonomik dhe po merr jetë.

“Kosova është vend i sigurt me një shoqëri të sigurt dhe se mund të jetë model dhe pikë referente për të gjithë rajonin”- tha znj. Suokko.

Ajo gjithashtu theksoi se fushata për legalizim të armëve mbështetet  nga  misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me qeverinë gjermane (Zyrën për Punë të Jashtme të  Republikës Federale të Gjermanisë).

Ndërsa Drejtori i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Republikës së Kosovës, z. Gazmend Hoxha tha se procesi për legalizimin e armëve ndikon në uljen e vrasjeve që është vepra më e rëndë penale. Ai theksoi se janë konfiskuar armë edhe pse ky trend kohëve të fundit ka rënë.

Në kampanjën e parë për legalizimin e armëve ka pasur rreth 1428 kërkesa për legalizim, rreth 682 pëlqime të lëshuara dhe 7 kërkesa për de-aktivizim. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1300 armë respektivisht në vitin 2016 ka konfiskuar 1292 armë, në vitin 2017 ka konfiskuar 1211 armë ndërsa në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 apo gjithsej 6176 konfiskime dhe legalizime.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 nëntor 2019 - Mbahet takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë së vendeve të Evropës Juglindore me c'rast  Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës, do të marrë edhe presidencën për udhëheqjen e Grupit Drejtues të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore për një vit. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg, organizon Konferencën Ndërkombëtare “Bashkëpunimi Universitet – Industri në Inovacion”. (Lokalet e Universitetit  të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. ora 9:00)

- Mahet takimi i 174-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Ojekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 10:00)

- Zyra Kombëtare e Auditimit bën prezantimin e raportit të auditimit të performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”. (Salla e konferencave “Orion”, ora 10:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me pProblemet e bizneseve me bankat komerciale. (Zyret e OAK-së, ora 11:00)

- Lansohet projekti 'Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë' të mbështetur nga MCC dhe MFK i cili synon të ofrojë stimuj financiarë dhe teknik për sektorin residencial që mundësojnë investime në masat e efiçencës së energjisë, si dhe të mbështesë gratë ndërmarrëse në energji dhe sektorë të tjerë. (Hoteli Swiss Diamond, ora 11:00)

- Administratori i Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Mark Green i cili po  qëndron në Kosovë do të marrë pjesë në lançimin e pilot projektit Nxitjet e Efiçencës Energjetike i cili implementohet nga Fondacioni Milenium Kosova dhe financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në bazë të Marrëveshjes “Threshold” të MCC-së në Kosovë. (Hoteli Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin “Borgjezia” e Akademisë, ku do të paraqitet hulumtimi mbi të ardhurat e stafit akademik menaxherial në universitetet publike të Kosovës. (Para objektit të Qeverisë së Kosovës, në sheshin Skënderbeu, ora 11:00)

- Administratori i Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Mark Green do të kalojë kohë edhe me të rinjtë me rastin e lançimit të platformës së internetit “Të Rinjtë Prijnë” për t’u krijuar mundësi bartësve të rinj të ndryshimeve të lidhen me rrjete të të rinjve me interesime të ngjashme, mentorë, resurse dhe ngjarje të ndryshme. (Qendra e Rinisë, salla atele, përballë Sallës së Kuqe, ora 15:00) 

- Zhvillohet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- OSBE organizon shfaqjen premierë të dokumentarit “Above the Fold” i cili ofron një tregim narrativ të vështirësive me të cilat përballen gazetarët në sjelljen e informacionit në publik. (Kino ABC, ora 19:00)