01 Dhjetor 2021

Ushtrisë së Kosovës i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar

Ferizaj, 22 tetor - Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u mbajt në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj.

Kryeministri Kurti e vlerësoi ditë të veçantë për FSK-në dhe për vendin, sepse, siç tha ai, Ushtrisë së Kosovës, po i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar, të përgatitur dhe të gatshëm për t’i shërbyer atdheut e për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e vendit tonë.

“Gjatë nëntë javëve të trajnimit, ju jeni ballafaquar me sforcim fizik, ngarkesa psikike dhe detyra akademike, larg familjeve, nën disiplinë dhe vështirësi të tjera, të cilat nuk i keni hasur më parë."

"Të gjitha këto sfida kanë pasur vetëm një qëllim, t’ju përgatisin për të qenë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës, për t’i shërbyer paqes me përkushtim të lartë dhe me vetëmohim”, ju tha kryeministri rekrutëve të posadiplomuar.

Ai theksoi se përfundimi i suksesshëm i stërvitjes ushtarake bazë, padyshim është meritë e punës së palodhshme dhe profesionale të stafit trajnues të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri përgëzoi oficerët dhe nënoficerët e Forcës së Sigurisë për këtë arritje dhe i inkurajoi të vazhdojnë të ruajnë dhe të avancojnë njohuritë në shërbim të edukimit dhe trajnimit të gjeneratave të reja të ushtarakëve.

Në ceremoni ishin të pranishëm Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, z. Armend Mehaj, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe gjeneralë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së dhe të vendeve mike të Kosovës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)