29 Mars 2024

UNHCR prezanton dy publikime personat e zhvendosur në rajon dhe në Kosovë

Prishtinë, 19 prill - UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatë vlerëson se prej numrit të personave të zhvendosur nga konflikti midis viteve 1998 dhe 1999, rreth 90,000 sosh ende kanë nevoja të ndërlidhura me zhvendosjen dhe janë në pritje të një zgjidhjeje. Prej tyre, rreth 72,000 persona vlerësohet se gjenden në Serbi, 16,406 në Kosovë, 729 në Mal të Zi dhe 394 në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Sipas UNHCR-së, procesi i gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për këtë popullsi, qoftë kthimi në vendin e origjinës ose integrimi në vendet e strehimit, duhet të gjejë zgjidhjen e duhur brenda një periudhe kohore të arsyeshme, nën drejtimin e institucioneve përgjegjëse.

UNHCR, së bashku me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Këshillin Danez të Refugjatëve, sot në Prishtinë prezantuan dy publikime lidhur me gjendjen e personave të zhvendosur në rajon dhe në Kosovë. 

Bazuar në rezultatet e një vlerësimi të bërë nga ana e UNHCR-së dhe partnerët vendorë në rajon, Raporti "Personat e zhvendosur nga Kosova në rajon - rivlerësim i interesimit për kthim" synon të ofrojë informacione të gjera rreth njerëzve të zhvendosur në rajon, që janë me origjinë nga Kosova, dhe të cilët tashmë kanë shprehur dëshirën për t'u kthyer.

"Kthimi dhe riintegrimi vullnetar varet nga një sërë faktorësh të lidhur me kushtet e favorshme në vendin e kthimit në aspektin e strehimit në dispozicion, shërbimeve publike, mundësive për gjenerimin e të ardhurave, qasjes në pronë, sigurisë dhe lirisë së lëvizjes dhe marrëdhënieve ndëretnike", tha Narasimha Rao, shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë. 

Aktiviteti rajonal i vlerësimit të nevojave është inicuar nga UNHCR-ja në vitin 2016, duke i dhënë përparësi personave që janë në pritje për t'u kthyer, për të rivlerësuar interesimin e tyre të vazhdueshëm për t'u kthyer dhe kushtet për kthim. Përveç kësaj, iu referua edhe personave të zhvendosur të cilët për herë të parë haptazi kanë shprehur interesimin e tyre për t'u kthyer në Kosovë.

Në total, 1,414 familje (ose 4,626 individë) janë intervistuar në Serbi, Mal të Zi dhe në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Nga ky numër, 1,268 familje (ose 4,184 individë) kanë rikonfirmuar interesimin e tyre për t'u kthyer, ndërsa 111 familje ose 377 individë kanë deklaruar se nuk janë më të interesuar të kthehen në Kosovë, por do të preferonin integrimin në vendin e zhvendosjes. Në fund, 35 familje ose 65 individë janë deklaruar se janë të pavendosur rreth lokacionit të tyre të preferuar të qëndrueshëm.

Të dhënat e fituara gjatë vlerësimit të nevojave, të paraqitura në publikim, do t’u shërbejnë autoriteteve për të gjetur zgjidhjet më efikase dhe më të qëndrueshme për të zhvendosurit në rajon dhe brenda Kosovës.

Publikimi i dytë me titull "Profilizimi i personave të zhvendosur brenda Kosovës" ofron informacione mbi nevojat e personave të zhvendosur brenda Kosovës, siç janë qasja në të drejta, qasja në kujdesin shëndetësor, burimi i të ardhurave dhe qasja në shërbime të tjera.

UNHCR vlerëson se, rreth 16,406 njerëz të zhvendosur në Kosovë kanë nevojë për zgjidhje të qëndrueshme për t'i dhënë fund situatës së tyre të zhvendosjes. Rreth 400 individë ende ndodhen në strehimore të përkohshme kolektive. Ndërkohë që rreth gjysma e tyre (rreth 200 individë) do të përfitojnë banesa në vitin 2018, mbështetja nga ana e donatorëve ende është e nevojshme për të siguruar banesa për popullatën e zhvendosur e të mbetur në strehimoret kolektive.

“Të gjithë ne, duhet t'i bashkojmë forcat tona në avokimin për sigurim të fondeve, në mënyrë që t'i mundësojmë atyre që janë të zhvendosur, e që shprehen të gatshëm që të kthehen, ta bëjnë këtë. Në këtë drejtim, angazhimi i autoriteteve komunale për ndarjen e tokës për të kthyerit që nuk zotërojnë prona, është jetike", tha shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë.

Gjatë kësaj ngjarjeje, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Nenad Stojçetoviq, Sekretar i Përhershëm i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, dhe Kristen Stec, Përfaqësuesja e Këshillit Danez për Refugjatë në Kosovë.

"Ministria për Komunitete dhe Kthim synon të forcojë procesin e kthimit përmes mekanizmave institucionalë ekzistues të bashkëpunimit me ministritë e linjës dhe partnerët e tjerë institucionalë në nivel rajonal dhe atë ndërkombëtar", tha Nenad Stojçetoviq, Sekretar i Përhershëm i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

"Procesi i profilizimit ka qenë një aktivitet i gjerë i kryer në bashkëpunim dhe koordinim të shumë palëve të interesuara, të fokusuara në grumbullimin e të dhënave dhe analizimin e popullatës së zhvendosur. Kjo, na ka dhënë një raport të bazuar mbi dëshmitë e situatës së personave të zhvendosur në Kosovë", tha Kristen Stec, Përfaqësuese e Këshillit Danez të Refugjatëve, zyra në Kosovë.

Prezantimi u ndjek nga autoritetet përkatëse, organizatat ndërkombëtare dhe vendore, nga përfaqësuesit e donatorëve dhe partnerët.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)