29 Mars 2024

Tre të akuzuar në lidhje me dëbimin e shtetasve turq tre vjet më parë

Prishtinë, 24 shkurt - Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të mërkurën akuzë kundër tre personave për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “privim i kundërligjshëm nga liria”.

Prokuroria nuk bëri të ditur identitetin e të akuzuarve të cilët në njoftimin e saj shënohen më nistoret D.G., V.K. dhe RR.S. dhe nuk dha hollësi të tjera rreth akuzës.

Mediet lokale në Kosovë thanë se të akuzuarit janë ish shefi i Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare të Kosovës, Rrahman Sylejmani.

Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.

Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Një komision parlamentar që hetoi lëshimet dhe përgjegjësitë e institucioneve në atë operacion gjeti 31 shkelje nga institucionet e vendit dhe shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Në fund të muajit qershor të vitit 2019, Parlamenti i Kosovës miratoi raportin e komisionit parlamentar, duke i bërë thirrje prokurorisë për ndriçimin sa më të shpejtë të këtij rasti.

Në muajin gusht të vitit 2019, Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha ka pranuar kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të policisë së Kosovës lidhur me operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Turqia ka arrestuar dhjetëra mijëra veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të klerikut Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)