24 Maj 2019

Të arriturat e FSK-së, suksese të përbashkëta të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë

Prishtinë, 16 maj - Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, për herë të parë pas miratimit të ligjeve për Ministrinë dhe FSK-në, filloi punimet konferenca dyditore 'FSK dhe Partnerët 2019-I’’ me pjesëmarrje të atasheve të Mbrojtës të shteteve partnere, KFOR-it dhe Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes(MM) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (NALT/MM/FSK).

Në hapjen e punimeve të konferencës morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe plane Faruk Geci, komandanti i KFOR-it gjeneral major Lorenzo D’Adario, drejtori i NALT-it, gjeneral Uwe Becker, si dhe gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, KFOR-it dhe NALT-it si dhe atashe të FSK-së.

Në fjalën e tij hyrëse, ministri i Mbrojtjes, z. Berisha, duke ju shprehu falënderime të gjithë atasheve ushtarakë dhe atyre të Mbrojtjes të shteteve të rajonit, shteteve partnere, shteteve të NATO-s si dhe të gjithë të ftuarve të tjerë, tha: 'Falënderoj shtetet partnere në krye me SHBA-në, NATO-n për mbështetjen e vazhdueshme që na e kanë dhënë dhe po vazhdojnë të na japin në zhvillimin e FSK-së.'

'Të gjitha të arriturat e FSK-së janë suksese të përbashkëta dhe kjo histori suksesi është e Kosovës dhe aleatëve perëndimorë. FSK-ja edhe me mandatin e ri do të jetë forcë profesionale, shumetnike dhe e besueshme, ku diversiteti është dhe do të mbetet vlerë, ku barazia është për të gjithë. Për MM dhe FSK-në, qytetarët e Kosovës janë të gjithë të barabartë. MM dhe FSK-ja bashkëpunon me këshilltarët e NALT-it në baza ditore.'

'Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj për ndihmën këshilluese dhe përkrahjen e vazhdueshme që po na japin në zhvillimin e FSK-së. Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin që kemi tash e 20 vjet me misionin e KFOR-it në Kosovë, të cilëve dua t’u falënderohem për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Republika e Kosovës është përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë. Ne jemi të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e secilit shtet të rajonit në NATO’’,-  përfundoi fjalën  e tij ministri Berisha.

Gjithashtu edhe gjenerallejtënant Rrahman Rama  mbajti një fjalë rasti, ku ndër  të tjera tha: 'Më lejoni që në emër timin dhe në emër të ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës të ju falënderoj për kontributin e vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm që po ofroni për të ngritur aftësitë dhe kapacitetet tona kombëtare. Ne kemi avancuar dukshëm në ngritjen e kapaciteteve duke arritur ndërveprueshmëri me partnerët tanë.'

'Këtë më së miri e kemi dëshmuar në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” , si dhe në pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimet në nivel ndërkombëtar. Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë për mbështetjen tuaj në rrugëtimin tonë të përbashkët për të qenë të gatshëm që t’ju mbështesim në të ardhmen atëherë kur të kërkohet. Ju partnerë të FSK-së, keni një rol të rëndësishëm në zhvillimin e FSK-së si forcë ushtarake e besueshme dhe gjithëpërfshirëse”, - u shpreh gjeneral Rama.

Gjatë seancës së parë folën edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral major Lorenco D’Adario dhe drejtori i NALT-it gjeneral brigade Uwe Becker, ndërsa më pas kolonel Agron Bajrami,  drejtor i Departamenti për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Vlen të përmendet se në punimet e konferencës së parë për vitin 2019 'FSK dhe Partnerët’’ po marrin pjesë atashe të Mbrojtjes nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania, Italia, Hungaria etj. Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe nesër me prezantimin e nevojave dhe projekteve të disa prej fushave me interes të veçantë për zhvillimin e Forcë në këtë fazë.

 

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019 - Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës, mban aktivitet në Prizren, te Komuna, lidhur me qeverisjen lokale në Prizren dhe kundër korrupsionit si dukuri negative. (Te Komuna, Prizren, ora 14:00)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)