29 Mars 2024

Sistemi i drejtësisë po lufton për statistika e jo korrupsionin

Prishtinë, 23 qershor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të martën, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Lufta për statistika të korrupsionit”, si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik.

IKD, gjatë vitit 2019, ka monitoruar 1180 seanca gjyqësore të 334 rasteve të korrupsionit me 919 persona të përfshirë.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Betim Musliu tha se edhe gjatë vitit 2019, sistemi gjyqësor ka vazhduar me ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në raport me ofrimin e qasjes në dokumente publike, kurse sistemi prokurorial është duke vazhduar me trendin negativ duke refuzuar qasje në dokumente publike. 

Sipas tij, si KGJK ashtu edhe KPK kanë refuzuar qasje në mbi 42% të kërkesave për qasje në dokumente publike në rastet e korrupsionit, ndërkaq përderisa gjykatat kanë refuzuar apo nuk janë përgjigjur në 37% të kërkesave të IKD-së, prokuroritë kanë refuzuar apo nuk kanë ofruar përgjigje në mbi 77% të kërkesave.

Sipas Musliut, gjatë vitit 2019, sistemi prokurorial ka pranuar 380 lëndë të korrupsionit, ndërsa ka zgjidhur 388 lëndë, respektivisht tetë lëndë më shumë se sa ka pranuar, duke shtuar se nga 380 lëndët e pranuara kanë qenë 777 persona të përfshirë për dyshimet për kryerjen e veprave penale të korrupsionit, përderisa nga 388 lëndët e zgjidhura kanë qenë të përfshirë 734 persona.

Në rastet e zgjidhura ndaj 734 personave, Musliu bëri të ditur se Prokuroritë në 69% të tyre kanë mbyllur rastet, respektivisht ndaj 315 prej tyre kanë hudhur kallëzimet penale, ndaj 192 prej tyre kanë pushuar hetimet, ndaj një personi është caktuar masa për trajtim psikiatrik.

Kurse, ai tha se Prokuroritë në 30% të rasteve të zgjidhura ku kanë qenë të përfshirë 218 persona kanë ngritur aktakuzë, kurse ndaj 8 personave tjerë lënda është bashkuar apo është zgjidhur në mënyrë tjetër.

IKD gjatë vitit 2019, ka monitoruar edhe njoftimet e lëshuara nga Prokurori i Shtetit lidhur me aktakuzat e ngritura në rastet e korrupsionit dhe veprave penale karakteristike.

Nga ky monitorim, sipas Musliut, IKD ka gjetur se Prokurori i Shtetit është duke vazhduar me qasjen selektive të informimit të publikut lidhur me aktakuzat e ngritura, ku në disa raste publiku nuk informohet lidhur me aktakuzat e ngritura, si në rastin e kryetarit të Komunës së Klinës Zenun Elezaj, për veprën penale “Konflikti i interesit” dhe në rastin ndaj ish-zyrtarit policor Jeton Menxhiqi, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, sipas Musliut, viti 2019 karakterizohet me rritjen e performancës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në inicimin dhe trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Ai tha se, për dallim nga vitet e mëhershme kur kjo prokurori hezitonte të merrte në punë rastet e korrupsionit, në vitin 2019 ka pranuar në punë 19 raste të reja me 92 persona të përfshirë, duke zbatuar në praktikë rekomandimin e IKD-së për marrje të përgjegjësisë dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive nga kjo prokurori.

Hulumtuesja e lartë e IKD-së, Hyrije Mehmeti tha se edhe në vitin 2019, Gjykatat në Kosovë kanë vazhduar kryesisht me shqiptimin e dënimeve me kusht dhe me gjobë në rastet e korrupsionit.

Mehmeti bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar, IKD ka raportuar për 152 aktgjykime të shpallura nga Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës për raste të korrupsionit, ndaj 270 personave të përfshirë, ku 240 persona akuzohen për vepra të ndryshme korruptive, kurse 30 të tjerë janë të përfshirë në këto raste, mirëpo ngarkohen me vepra jo korruptive

Sipas Mehmetit, nga monitorimi i IKD-së rezulton se Gjykatat kanë dënuar me burg efektiv 41 persona, ndaj 56 personave kanë shqiptuar dënime me kusht, ndaj 36 personave kanë shqiptuar dënime me gjobë, ndërsa janë liruar 107 persona.

Mehmeti tha se aktgjykimet e shpallura në shkallë të parë ndaj këtyre 240 personave, dëshmojnë se gjykatësit kryesisht zbatojnë politikë të butë ndëshkimore ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit, për çka IKD vlerëson se këto dënime nuk e arrijnë qëllimin, duke pasur parasysh se dukuria e korrupsionit vazhdon të cilësohet si kancer i shoqërisë, zhvillimit ekonomik dhe perspektivës evropiane.

Tutje, hulumtuesja e lartë bëri të ditur se nga monitorimi i IKD-së, rezulton se nga 133 persona të cilët janë dënuar për korrupsion nga gjykatat në shkallë të parë, ndaj pesë personave është shqiptuar dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit për një periudhë prej dy viteve dhe një viti, kurse ndaj 11 personave gjykatat kanë konfiskuar asete nga kryerja e veprës penale, ku janë përfshirë asete në vlerë prej 5 euro, 10 euro, 20 euro, 50 euro, në një rast 5, 087 euro, në një rast tjetër automjete dhe shumën e të hollave prej 20, 56 euro dhe gjësende tjera.

Mehmeti gjithashtu tha se është duke vazhduar trendi i mosrespektimit të afateve ligjore në trajtimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, duke u shkelur kështu të drejtat dhe liritë e të pandehurve për një proces gjyqësor brenda afateve të arsyeshme kohore.

E njëjta bëri të ditur se, gjatë vitit 2019, IKD ka monitoruar edhe rastet e korrupsionit të trajtuara nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Në fund, IKD ka dhënë edhe rekomandime konkrete që lidhen me trajtimin e rasteve të korrupsionit, nga sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)