24 Shtator 2020

Shtesat për policë të domosdoshme për trajtim të drejtë dhe të dinjitetshëm

Prishtinë, 7 gusht - Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani ka takuar sot kryetaren e sindikatës së policisë së Kosovës, znj. Valbona Kamberi, dhe kryetarin e rajonit të Gjilanit të sindikatës së policisë së Kosovës, Ragip Ajeti.

Përfaqësuesit e Sindikatës së policisë së Kosovës e njoftuan znj. Osmani me sfidat me të cilat po ballafaqohen policët gjatë pandemisë, duke përmendur orarin e tejzgjatur, moskompensimin e angazhimit në ndërrimin e natës si dhe orëve shtesë. 

Sipas tyre, shpërfillja e kategorisë së policëve nga Qeveria përbën shqetësim dhe zhgënjim të kësaj kategorie. 

Kryetarja Osmani, ndërkaq, theksoi se është e pafalshme që policët e Kosovës, të cilët me profesionalizmin e tyre kanë bërë që policia e Kosovës tradicionalisht të cilësohet ndër institucionet më të besuara në vend, të trajtohet në mënyrë të padinjitetshme.

Ajo pohoi se kontributi i policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë është i pazëvendësueshëm. Rrjedhimisht, ajo tha se institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre, të cilat ajo i cilësoi si minimale. 

Duke rikujtuar se ajo ka qenë e zëshme në artikulimin e kërkesave të policëve në Kuvend, sidomos të kërkesës për dhënie të shtesave gjatë pandemisë, kryetarja Osmani e siguroi Sindikatën e Policisë së Kosovës se do të vazhdoj ta ngrisë zërin që policët të marrin trajtimin e merituar nga Qeveria e Kosovës.​

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)