25 Prill 2024

Rritet besueshmëria e qytetarëve të Pejës në Policinë e Kosovës

Pejë, 26 dhjetor - Organizata Syri i Vizionit, si institucion i pavarur dhe joqeveritar, ka realizuar një hulumtim me qytetarët e komunës së Pejës lidhur me kënaqshmërinë dhe besueshmërinë që ata kanë në Policinë e Kosovës (PK) në komunën e tyre.

Lidhur me këtë, sot është publikuar raporti për “Kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve në Policinë e Kosovës”. Raporti në fjalë vë në pah pikëpamjet e qytetarëve për bashkëpunimin, besueshmërinë, punën dhe angazhimin e policisë, shqetësimet të cilat ata kanë për dukuritë më të cilat policia ballafaqohet, janë ballafaquar vetë apo komuniteti i tyre në lagje dhe fshatra si dhe njohuritë që ata kanë për policin e lagjes.

Qytetarët e vlerësojnë sjelljen e policisë në raport me ta si shumë të mirë. Këtë e kanë pohuar mbi 70% e të intervistuarve, ndërsa 30% prej tyre sjelljet e policisë i kanë cilësuar si deri diku të mira.

Qytetarët e komunës e Pejës vlerësojnë se Policia është njëra ndër institucionet me të besueshme, duke lënë kështu pas gjykatën dhe prokurorinë dhe institucionet tjera të drejtësisë e sigurisë. Kjo është deklaruar nga 76% e qytetarëve të përfshirë në hulumtim.
 
Për më tepër, ata kanë vlerësuar se në krahasim me vitin e kaluar, për 20% janë zvogëluar shqetësimet e tyre dhe veprat kriminale, deri sa 62% e qytetarëve mendojnë se shqetësimi i tyre për sigurinë në bashkësinë/lagjen ku jetojnë mbetet i njëjtë si vitin e kaluar.

Mirëpo, sipas tyre, këtë vit angazhimi i policisë ka qenë dukshëm më i mirë në parandalimin dhe luftimin e dukurive të ndryshme, duke shënuar një rritje prej 21% më shumë se sa vitin e kaluar, ndërsa 46% thonë se deri diku është bërë kjo gjë, që lë të kuptojë se policia ka qenë shumë më aktive në këtë drejtim.

Ajo që i shqetëson me shumë qytetarët në komunën e Pejës, mbetet rreziku nga qentë endacakë. Ky është është vlerësuar si rreziku më i madh për ta, ndjekur nga lëvizja e shpejtë e automjeteve, vjedhjet, perderisa në numër shumë të vogël janë theksuar edhe sulmet fizike e përdorimi i substancave narkotike.

Rritje të besueshmërisë së qytetarëvë ka pasur edhe në gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me policinë. Këtë besueshmëri e kanë deklaruar 31% e respondentëve,  kurse 45% thonë se deri diku ndihen të sigurt.

Pjesa dërrmuese e qytetarëvë kanë vlerësuar se policia i trajton njëjtë të gjitha rastet pa dallime etnike e gjinore. Kjo është pohuar nga mbi 50% të qyterarëve, mirëpo nga një përqindje e vogël është thënë edhe që ka anime në aspektin e trajtimit të rasteve, si në aspektin etnik e po ashtu edhe gjinor.

Rekomandimet:

⦁    Të thjeshtohen procedurat e denoncimit të rasteve dhe të sigurohet ruajtja e konfidencialitetit, pasi që disa prej qytetarëve kanë treguar se pasi kanë bërë denoncime në polici kanë pasur probleme me “palën” e denoncuar, sepse nuk është ruajtur konfidencialiteti i tyre dhe kjo rrezikon uljen e besimit në policinë;

⦁    Policia duhet t’i përgjigjet me kohë daljes në terren kjo kur kërkohet nga qytetarët për rastet e raportuara, pasi që vonesat në reagim kanë zbehur besimin në polici nga ana e qytetarëve dhe ka tendencë që kjo të ndikojë edhe në uljen e bashkëpunimit të qytetarëve me policinë;

⦁    Të zbatohet një fushatë informuese lidhur me promovimin e numrit të policisë dhe policin e lagjes, pasi që një numër i madh i qytetarëve nuk e dinë numrin e po ashtu kanë shumë pak informata për rolin dhe rëndësinë që ka “polici i lagjes”. Për më tepër, ata nuk e dinë fare se kush është polici i lagjes së tyre.

⦁    Të ketë patrulla me të shpeshta të policisë në të gjitha lokalitetet, specifikisht në lagjen “7 Shtatori” dhe në fshatrat e lugut të Tërstenikut. Madje, në këtë zonë duhet qëndruar një patrullë lëvizëse vazhdimisht, pasi që qytetarët rrezikohen nga lëvizja e shpejtë e makinave, në veçanti në pjesën e fshatrave Nabërgjan, Ruhot dhe Tërstenik;

⦁    Duhet ketë informata kthyese për “palët” që kanë denoncuar rastet, për sa i përket statusit të rasteve, pra duhet kthehen informata që janë të lejueshme dhe të cilat nuk dëmtojnë hetimet apo lëndën, sepse kjo do të rrisë dhe forcojë akoma më shumë besimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin me policinë;

⦁    Policia duhet të krijojë mekanizma monitorues për të parë nëse rastet trajtohen sipas procedurave dhe standardeve ligjore, duke eliminuar prioritizimin e rasteve në bazë të ndikimeve dhe njohjeve familjare, atyre politike, përkatësisë etnike apo gjendjes ekonomiko-sociale;

⦁    Duhet shtypur dhe shpërndarë fletushka me numrat personal të policëve të lagjes, sepse kjo do t’i bëjë qytetarët të ndihen më rahat dhe më të sigurt në denoncimin e rasteve se sa të bëjnë denoncimin në numrin zyrtar. Kjo do të rris shumë më shumë gatishmërinë dhe bashkëpunimin e qytetarëve me policinë për të ndihmuar në parandalimin e dukurive të ndryshme në lokalitetin e tyre;

⦁    Policia duhet rrisë më shumë informimin ndaj qytetarëve lidhur me punën dhe angazhimin e tyre në parandalimin, reagimin dhe trajtimin e rasteve të ndryshme që ndodhin në komunën e Pejës. Ndër mënyrat e informimit mund të jenë organizimi i ditëve të hapura me qytetarë, apo takimet publike së paku dy herë në vit nga një dëgjim publik, nëse lejojnë procedurat e komunikimit;

Policia duhet zhvillojë fushatë informuese lidhur më të drejtën e qytetarëve për të ushtruar ankesë ndaj sjelljeve të zyrtarëve policorë të cilët “dyshohen” se kanë shkelur etikën e tyre profesionale gjatë reagimit ose trajtimit të rastit, apo gjatë reagimit ndaj thirrjes së qytetarëve.

Hulumtimi për kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve në Policinë e Kosovës është realizuar në Komunën e Pejës gjatë muajit dhjetor 2019. Kujdes i veçantë i është kushtuar metodologjisë së zgjedhjes së mostrës në mënyrë që ajo të sigurojë përfaqësim të barabartë të lagjeve, gjinive dhe komuniteteve.

Janë realizuar 1.223 intervista me qytetarë, 56% prej tyre në qytet dhe 44% në fshatra, prej të cilave 53% janë meshkuj dhe 47% janë femra. Nga këta të intervistuar 39% janë të moshës 26-40 vjeçare, 29% janë të moshës 41-60 vjeçare, derisa 24% janë të moshës 18-24 vjeçare. Nga të anketuarit, 73% janë të komunitetit shqiptar, 13% boshnjak, 8% të komunitetit rom, egjiptian dhe ashkali dhe 5% janë të komunitetit serb.

Për më shumë informata, kontaktoni z. Naser Lajqi në numrin e telefonit: 044 695 650      apo në e-mail: [email protected]    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)