25 Prill 2024

Remzi Shala dënohet me 14 vjet burg për vrasjen e Haxhi Përteshit

Prishtinë, 4 korrik - Pas shqyrtimit kryesor të mbajtur lidhur me aktakuzën e datës 19 tetor të vitit 2016 në lëndën Prokurori kundër Remzi Shalës, paneli shqyrtues (me të cilin ka kryesuar gjyqtarja Raima Elezi, anëtarë të trupit gjykues gjyqtarët Luan Berisha dhe Fatmir Krasniqi) i Gjykatës Themelore në Prizren, Departamenti për krime të rënda, në datën 3 korrik të vitit 2019 e ka shpallur aktgjykimin me të cilin i akuzuari Shala është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile, e paraparë me nenin 142 në lidhje me nenin 22 të LP të RSFJ-së dhe në lidhje me nenin  3 (1a) të Konventës së Katërt të Gjenevës të vitit 1949, po ashtu e dënueshme me nenin 152 në lidhje me nenin 32 të KPRK-s.

Shalës i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej katërmbëdhjetë (14) vitesh. Të akuzuarit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
 
Gjykata e ka shpallur të akuzuarin fajtor për privimin nga liria të Haxhi Përteshit nga fshati Duhël, komuna e Suharekës, që ka ndodhur në orët e mbrëmjes të datës 26 qershor të vitit 1998. Trupi i pajetë i Përteshit është gjendur disa ditë pas rrëmbimit, të cilin i akuzuari e ka kryer në bashkëkryerje me kryerës të tjerë të panjohur,  pjesëtarë të UÇK-së.

FDH Kosovë vlerëson se trupi gjykues ia ka mundësuar të akuzuarit gjykimin e drejtë dhe të ndershëm.


Gjatë shqyrtimit janë dëgjuar më shumë dëshmitarë se sa që ka qenë e paraparë me aktakuzën. Kjo për shkak se trupi gjykues ua ka mundësuar palëve në procedurë propozimin dhe paraqitjen e dëshmitarëve dhe të provave të reja, për të cilat gjatë procedurës është treguar nevoja.

Dënimi me burgosje i shqiptuar për të akuzuarin, duke pasur parasysh praktikën e deritashme të dënimit për krimet e luftës në Kosovë, është më i ashpër, por asnjë dënim në asnjë rast nuk mund të jetë kompensim për një jetë të humbur njerëzore, posaçërisht duke pasur parasysh vet mënyrën e kryerjes së veprës penale, kur viktima është marrë nga shtëpia para anëtarëve të familjes së tij. Me dënimin e shqiptuar, familja e dëmtuar e pakta deri diku e ka realizuar të drejtën në drejtësi.
 
Shqyrtimi kryesor, me ndërprerje të kohëpaskohshme për shkak të sëmundjes ose të për shkak se për gjykatën i akuzuari ka qenë i pa qasshëm, ka zgjatur pak më shumë se dy vite.

Pas fillimit të transferimit të kompetencave ekzekutive të EULEX-it tek stafi gjyqësori vendor, ky ka qenë gjykimi i parë për krime të luftës kundër popullatës civile, të cilin në tërësi e kanë udhëhequr gjyqtarët vendor dhe ku, po ashtu, me panelin ka udhëhequr gjyqtari vendor.

Me aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të muajit tetor të vitit 2016, e cila njëkohësisht ka qenë aktakuza e parë për krime të luftës kundër popullatës civile e ngritur nga një prokuror vendor pas fillimit të transferimit të kompetencave ekzekutive të EULEX-it, të akuzuarit Shala i është vënë në barrë se në fund të muajit qershor të vitit 1998, në fshatin Duhël, komuna e Suharekës në bashkëkryerje me kryerës të armatosur, të maskuar e të panjohur, dhe me pjesëtarë të UÇK-së ka marrë pjesë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit  dhe në shkaktimin e vdekjes së tij të paqartë.

Shqyrtimi kryesor, pas vlerësimit të aktakuzës, është hapur në datën 12 maj të vitit 2017. Gjatë shqyrtimit, trupi gjykues ka mbajtur tridhjetë e shtatë (37) seanca gjyqësore - gjatë vitit 2017 trembëdhjetë (13), gjatë vitit 2018 njëzetë (20), kurse gjatë vitit 2019 katër (4) ditë gjyqësore.

Gjatë kohës së zhvillimit të shqyrtimit janë dëgjuar tridhjetë (30) dëshmitarë të propozuar nga ana e palëve në procedurë si dhe sipas detyrës zyrtare nga ana e trupit gjykues.

Me propozimin e palëve në procedurë, trupi gjykues gjatë shqyrtimit kryesor gjatë vitit 2018 e me qëllim të qartësimeve të caktuara, i ka organizuar njëmbëdhjetë (11) ballafaqime të dëshmitarëve.

I akuzuari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, por e ka shfrytëzuar të drejtën e paraparë me ligj që të mbrohet me anë të heshtjes  dhe që të mos përgjigjet në pyetjet e prokurorit dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar.

Shqyrtimi kryesor gjatë vitit 2019 ka vazhduar me seancën e caktuar për datën 9 janar të vitit 2019. I akuzuari nuk është paraqitur në te, edhe pse është ftuar në mënyrë të rregullt. Për këtë arsye gjykata e ka dhënë urdhëresën për sjelljen e tij të dhunshme, kur edhe kundër Shalës është lëshuar urdhëresë për shpalljen e letër rreshtimit vendor dhe ndërkombëtar. I akuzuari, nga ana e policisë së Kosovës, është paraburgosur në datën 24 maj të vitit 2019. Me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në gjykatë, atij i është caktuar masa e paraburgimit.

Shqyrtimi në lëndën Prokurori kundër Remzi Shalës kryesisht ka qenë publik, pos gjatë dy seancave të mbajtura gjatë vitit 2018, kur edhe janë bërë ballafaqimet e caktuara të dëshmitarëve. Vëzhguesve të EULEX-it dhe të FDH Kosovë iu është mundësuar qasja edhe në këto seanca.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)